WP 1 - Salih Ahmeti paralajmëron rritje të rasteve me COVID-19

Kosova po vazhdon që të përballet me COVID-19. Megjithatë në javët e fundit numri i rasteve të infeksionit me këtë virus është ulur. Por, shqetësues vazhdon të mbetet numri i personave që nuk po arrijnë që ta mposhtin këtë infeksion. Moshat e prekura që po kërkojnë trajtim në Infektiven e QKUK’së janë të reja

Në tre muajt e fundit mosha mesatare e atyre që kanë pasur komplikime shëndetësore nga Covid 19 ka variuar prej 4- deri në 50 vjeç. Infektologu i QKUK’së, prof Salih Ahmeti, ka dhënë detaje për Express rreth pacientëve që ai trajton si dhe rreth asaj se çka mund ta presë Kosovën gjatë muajve në vazhdim.

Vjeshta mund të risjellë sërish përkeqësim të situatës me Covid 19 në Kosovë. Kjo ngase në atë kohë vendi ballafaqohet me viruse të ndryshme pos koronavirusit si dhe me gripin sezonal.

Infektologu Kosovar, prof, Salih Ahmeti, në një deklaratë për Gazetën Express ka folur për situatën aktuale me virusin Covid 19. Ai thotë se në uljen e numrit të të infektuarve kanë ndikuar masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e detyrueshme të maskës jashtë ambienteve të shtëpisë. Por, Ahmeti shprehet se shifrat mund të rriten sërish me nisjen e procesit mësimor në Kosovë.

“Në uljen e numrit të rasteve kanë ndikuar një sërë faktorësh. Këto masat e reja domosdoshmërish kanë ndikuar që të ulet numri. Por ta presim tash, shkollat pritet të fillojnë mësimin. Shifrat mund të rriten pak. Por edhe vjeshta pritet që të sjellë rritje të numrit të të infektuarve për shkak të viruseve të ndryshme si dhe gripit sezonal”, thotë Ahmeti.

Megjithatë, ai shprehet se vazhdon të mbetet shqetësues shkuarja në Klinikë e pacientëve që janë prekur nga koronavirusi. Kjo ngase, sipas tij, të prekurit me Covid në fazë shumë të avancuar të sëmundjes po kërkojnë trajtim mjekësor.

“Në Klinikë po vijnë pacientët në fazë të vonshme me mushkëri të dëmtuara. Si rrjedhojë edhe trajtimi pastaj është më i vështirë”, thotë ai.

Ahmeti thotë se mosha mesatare e personave që janë të shtrirë në Klinikë në tre muajt e fundit ka qenë 40 deri në 50 vjeç.

“Kemi persona të moshave të ndryshme. Tre muajt e fundit ka nga ata që na vijnë në moshën 40 apo 50 vjeçare”, shprehet ai.


www.foxshop-ks.com