Në zbatim të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar procesi i zgjedhjeve të anëtarëve prokurorë të KPK-së nga radhët e shtatë (7) prokurorive themelore, proces ky, i cili do të zgjasë tre ditë.
Në ditën e dytë të procesit zgjedhor, proces ky, i cili me vendim të KPK-së organizohet nga Komisioni Zgjedhor dhe udhëhiqet nga Agron Beka, anëtar i KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike, zgjedhjet u mbajtën në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ferizajt dhe Gjilanit.
Gara për anëtarë të KPK-së në Prokurorinë Themelore të Prishtinës u zhvillua në mes të prokurores Jehona Grantolli, prokurorit Shkëlzen Ibrahimi dhe prokurorit Armend Hamiti. Pas procesit të votimit dhe numërimit të votave, prokurorja Jehona Grantolli mori 25 vota, prokurori Shkëlzen Ibrahimi mori 10 vota dhe prokurori Armend Hamiti mori 19 vota.
Ndërkaq, gara për anëtarë të KPK-së në Prokurorinë Themelore të Ferizajt u zhvillua në mes të prokurorit Veton Shabani dhe prokurorit Valdet Avdiu. Pas procesit të votimit dhe numërimit të votave, prokurori Veton Shabani mori 12 vota ndërsa prokurori Valdet Avdiu mori 7 vota.
Kurse gara për anëtarë të KPK-së në Prokurorinë Themelore të Gjilanit u zhvillua në mes të prokurores Leonora Kadriu dhe prokurorit Jetish Maloku. Pas procesit të votimit dhe numërimit të votave, prokurorja Leonora Kadriu mori 1 votë ndërsa prokurori Jetish Maloku mori 14 vota.
Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve në të gjitha prokuroritë themelore, Komisioni Zgjedhor do të hartojë raport lidhur me rezultatet e votimeve dhe do ta paraqesë para Këshillit Prokurorial të Kosovës. Gjatë shqyrtimit të raportit përfundimtar të Komisionit Zgjedhor do të sigurohet përfaqësimi gjinor dhe etnik në Këshill.
Në ditën e tretë të këtij procesi zgjedhjet do të mbahen në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe Pejës.
Ky proces është monitoruar nga organizatat e shoqërisë civile.