Fëmijët që kërkojnë lëmoshë në Ferizaj janë më të shpeshtë kohëve të fundit.
Në këtë komunë ekzistojnë edhe disa familje strehuese të cilat përkujdesen për fëmijë të braktisur, si familja e Ymrije Selmanit nga fshati Dardani.
Selmani tash e 16 vjet përkujdeset vullnetarisht në ambientin familjar për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Ajo tregon se aktualisht ka të strehuar tre fëmijë me nevoja të veçanta, andaj kërkon mbështetje institucionale, raporton KOHA.
“Shteti duhet të kujdeset më së shumti për këta fëmijë dhe për neve si familje, sepse ne duke e parë se ne që kemi edhe fëmijë tanë nipa dhe mbesa, ne nuk i ndajmë fëmijët, me thënë këta janë të strehimit e këta janë të mitë, këta kanë me u ulë me një sofër me një shtrat, me një lodër me krejt. Po duhet shteti me shiku dhe jo me këqyr veç për veti e me i lënë këtë kategori rrugëve, është tmerr”, ka thënë ajo.
Së fundmi, sikur ka thënë Selmani, Komuna e ka përkrahur me një subvencion për ta kaluar më lehtë situatën e pandemisë. Ajo kërkon edhe nga niveli qendror ta përkrahë më shumë këtë kategori të fëmijëve.
Ndërkaq, Bekim Ademi, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, ka thënë se duke e parë gjendjen në përgjithësi kanë hartuar një rregullore të re, e cila përcakton mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, si dhe kompetencat e institucioneve në këtë drejtim.
“Kjo rregullore është jashtëzakonisht e rëndësishme për arsye se mbron fëmijët nga të gjitha format e dhunës, qofshin ato mendore, psikike, gjatë shkollimit të tyre, në të gjitha fazat e zhvillimit mbrohet fëmija sipas kësaj rregulloreje”, ka thënë Ademi.
Rregullorja është përkrahur e miratuar edhe nga këshilltarët e Kuvendit Komunal në mbledhjen e fundit, e cila u mbajt të martën.
Sipas kësaj Rregulloreje, Komuna e Ferizajt ka për obligim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në përgjithësi, për një mirëqenie më të mirë të tyre si dhe ndërmarrjen e masave për të krijuar siguri në ambiente shkollore, në rrugë dhe mjedis.