Alma Topalli dhe Alberta Maloki, pasi u njoftuan në kursin e gjuhës angleze me mësimdhënësin e tyre Allen Jones, kanë arritur që miqësinë e tyre ta mbajnë dhe zgjerojnë me këtë familje nga Kansasi i SHBA-së.
Shkolla fillore “Mejdi Xhaferi” në fshatin Mirosalë dhe shkolla fillore “Naim Frashëri” në fshatin Doganaj janë rinovuar nga kjo familje amerikane, falë miqësisë me dy studentet.
Alma Topa, koordinatore e Grupit të të rinjve në Ferizaj, tregon se si kanë arritur të krijojnë lidhshmëri miqësore me këtë familje.
“Familja Jones ka një dashuri shumë të madhe për Kosovën, për fëmijët dhe komunitetin. Ata kanë një vullnet shumë të madh për të ndihmuar dhe gjithmonë gjatë kohës sa jam në kontakt me ta më pyesin se si janë fëmijët si po i presin këto donacione, çfarë po kërkojnë. Më e rëndësishmja për ta është që t’i dinë kërkesat e fëmijëve dhe t’i plotësojnë ato”, ka thënë Alma Topalli, koordinatore e Grupit të të rinjve në Ferizaj.
Ndërkaq, Allen Jones ka thënë se edukimi është çelësi i progresit, andaj duhet të kuptojnë të gjithë dhe t’i vlerësojnë kulturat e ndryshme.
“Çdo vit, Alma gjen një shkollë në Kosovë që mund ta ndihmojmë dhe e koordinon projektin, e këtu në Amerikë fëmijët i përvishen punës për të punuar dhe për të mbledhur para për shkollat duke bërë projekte të ndryshme dhe duke dhënë leksione për Kosovën. Këtu në SHBA njerëzit e duan Kosovën dhe kanë ofruar mbështetje bujare për t’i ndihmuar shkollat atje”, ka thënë më tej Jones.
Aksionit të të rinjve nga Ferizaj gjatë hartimit të projekteve i janë bashkangjitur edhe këshillat e fshatrave dhe këshillat e prindërve.
“Ne si komunitet kemi kontribuar me punë vullnetare. Kemi ngjyrosur muret e disa klasave, pastaj edhe bibliotekës. Po ashtu e kemi rregulluar edhe një pjesë të kopshtit dhe pjesën e hyrjes së shkollës”, ka thënë Besim Bytyqi, përfaqësues i Këshillit të prindërve në shkollën fillore “Mejdi Xhafer”.
Albion Sherifi, zëdhënës i Komunës së Ferizajt, ka treguar se vazhdimisht kanë pasur iniciativa të tilla institucionale nga grupe të të rinjve.