Policia Rajonale e Ferizajt gjatë kësaj periudhe të vitit është duke i realizuar një varg planesh operative për ta rritur sigurinë në komunikacion.
Megjithatë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar një rritje të lartë. Po ashtu gjatë periudhës janar-maj të këtij viti është shënuar rritje edhe në shqiptim të gjobave në komunikacion.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për regjionin e Ferizajt, ka thënë për KOHEN se për pesë muaj të këtij viti janë shqiptuar gjithsejtë 14 mijë e 434 gjoba në komunikacion. Ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë regjistruar gjithsejtë 13 mijë e 991 gjoba në komunikacion.
“Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti janë raportuar gjithsejtë 632 aksidente për dallim me vitin e kaluar kanë qenë 371 aksidente. Gjatë kësaj periudhe të vitit 2021 në aksidente të komunikacionit kanë humbur jetën nëntë persona duke e përfshirë edhe aksidentin e fundit në rrugën Shtime-Ferizaj ku humbën jetën katër persona. Ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishim të regjistruara vetëm 2 aksidente me fatalitet”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe të vitit 2021 janë regjistruar 219 aksidente me lëndime për dallim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë regjistruar 152 aksidente me lëndime.
“Aksidente me dëme materiale kemi 408, ndërkaq në vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kishim 217 aksidente me dëme materiale. Gjobat e shqiptuara për periudhën janar-maj janë 14 mijë e 434 gjoba për dallim me vitin paraprak 13 mijë e 991 gjoba të trafikut”, ka thënë Veseli.
Ai ka bërë me dije se Policia e Kosovës në Ferizaj ka realizuar vazhdimisht aktivitete të ndryshme dhe njëkohësisht ka hartuar disa plane për sigurinë rrugore. Po ashtu në kuadër të planeve të Policisë është edhe plani i sigurisë “Skuteri” i cili është në realizim gjatë gjithë vitit.