Kryetari i Komunës së Ferizajt nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Aliu, në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar edhe një herë besimin e qytetarëve për një tjetër mandat katër vjeçar në krye të kësaj komune.
Pas certifikimit të rezultateve dhe marrjes së detyrës nga Agim Aliu.
Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij mandati, ndër prioritetet e tij kryesore do të jenë politikat e gjelbra, infrastruktura dhe arsimi e shëndetësia.
“Prioritetet e qeverisjes sime në këtë mandat do të jenë politikat e gjelbërta, përkatësisht rregullimi i parqeve të reja, masiveve të gjelbërt siç janë: Rregullimi i parkut tek shkolla “Gjon Serreçi”, pyllëzimi dhe rikonceptimi për park i Kodrës së Sherretëve, parku tek objekti aktual i KRM “Pastërtia”, rregullimi i miniparqeve sipas konceptit ‘Pocket park’ e parqe të tjera në qytet e fshatra që ridimensionojnë gjithë zonën qendër të qytetit”, ka thënë Aliu.
Prioriteti i dytë, por me rëndësi të njëjtë gjithashtu sipas Aliut do të jetë infrastruktura në Komunën e Ferizajt.
“Infrastruktura, modernizimi dhe transformimi urban i qytetit, vazhdim i modelit të instaluar infrastrukturor, duke implementuar projektin si për shembull: Ndërtimi i nënkalimit për vetura tek Stacioni i Policisë në Ferizaj, ridimensionimi i rrugëve kryesore të qytetit siç janë rruga ’12 Qershori’ dhe ‘Ahmet Kaçiku’ si dhe investime tjera infrastrukturore”, ka deklaruar Aliu.
Si një ndër prioritetet kryesore, kreu i Ferizajt, Agim Aliu nuk ka lënë pa radhitur edhe arsimin e shëndetësisë.
“Arsimi dhe shëndetësia, me projektin për shndërrimin e shkollës teknike në shkollë të teknologjisë së informacionit, investim në ndërtimin e shkollave të reja, ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare etj”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 14 nëntorit të këtij viti, Agim Aliu i PDK-së ka fituar pa balotazh në Komunën e Ferizajt, duke arritur të marrë 62.38 për qind të votave totale.