Fotografitë nga jugu i Mitrovicës me pjesën veriore të ndriçuar kanë revoltuar një pjesë të qytetarëve. Pretendohet se në Veri, aty ku qytetarët s’paguajnë për rrymë, nuk po ka fare ndërprerje. Në Qeveri dhe në KEDS nuk u janë përgjigjur këtyre pretendimeve, ndërsa KOSTT-i thotë se masat vlejnë për krejt Kosovën. KMDLNj-ja është e sigurt se Veriu s’ka ndërprerje dhe e quan diskrimunese e raciste mënyrën e reduktimeve.
“Për shkak të krizës energjetike dhe sipas udhëzimeve të KOSTT do të ketë kufizime të furnizimit me energji elektrike në orare të caktuara”, është mesazhi që kanë pranuar qytetarët gjatë ditës së martë, si paralajmërim për reduktimet, që do të nisnin të nesërmën.
Prej kur kanë nisur reduktimet e rrymës, janë publikuar në rrjete sociale shumë fotografi, sipas të cilëve në komunat veriore të vendit nuk po ndalet rryma.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), i cili ka udhëzuar KEDS-in për reduktime me energji elektrike, thotë se zbatimi i masave vlen për gjithë vendin, përfshirë Veriun.
“Zbatimi i masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ për zvogëlimin e konsumit si masë e fundit e veprimit, vlen për të gjithë vendin, përfshirë pjesën veriore të vendit”, thuhet në përgjigjen e Kostt-it.
As Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës nëse ka reduktime edhe në komunat veriore të vendit, të cilat janë të banuara me serbë.
Ndërkaq Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka deklaruar sot se në veri të vendit nuk ka shenja të reduktimeve të energjisë elektrike.
Përmes një komunikate për media, KMDLNj ka deklaruar se gjatë një vizite në Mitrovicën e Veriut, nuk janë parë askund agregatë.
“KMDLNj, dje ishte në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut ku nuk kishte asnjë shenjë se ata po përballen me mungesë të energjisë elektrike sikur që nuk kishte askund agregatë. Kjo është ajo që KMDLNj –ë e ceku më lartë, trajtimi racist dhe diskriminues i qytetarëve të Kosovës, në Kushtetutën e së cilës është garantuar barazia para ligjit, duke e dënuar çfarëdo lloj diskriminimi”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Ndryshe, më 6 maj të këtij viti, me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, lidhur me kërkesën e KOSTT-it për të siguruar 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.
Ndër rekomandimet e KOSTT-it ishte që Qeveria e Kosovës të gjente zgjidhje brenda afatit 6-mujor, për të shtrirë sistemin e faturimit në komunat veriore të vendit.
KOSTT-i kishte ndarë 6.7. milionë euro për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore, duke zgjatur kështu edhe periudhën e pagesës deri në fund të vitit. Kostoja fillestare prej 11 milionë eurosh ishte zgjatur në 17.7 milionë euro.