Një aksion i bastisjeve është duke u zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Këto bastisje janë vazhdim i aksionit për ndërtimet në Brezovicë.
Bastisjet po zhvillohen edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
“Po, janë duke u kryer bastisje. Aksioni është duke u zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Bastisje janë duke u kryer edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është vazhdimësi e aksionit të 21 dhjetorit, pra për ndërtimet në Brezovicë. Deri tash s’ka të arrestuar, meqenëse bastisjet po vazhdojnë ende”, ka thënë Jashari.
Ndryshe, një aksion i tillë ishte zhvilluar edhe më 21 dhjetor të vitit të kaluar. Në këtë aksion u arrestuan dhjetë zyrtarë. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.
Ai dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.