xhami1 560x374 - Në xhaminë e Bibajt mbajnë ligjërata mjekët dhe policët

Namazi i xhumasë në fshatin Bibaj të Ferizajt mbahet ndryshe nga xhamitë tjera. Përveç ‘dersit’ që mban imami, në këtë xhami çdo të premte mbajnë ligjërata ekspertë të fushave të ndryshme.

Banorët e Bibajt deri më tani kanë pasur rastin të dëgjojnë për tuberkulozin, sëmundjet e zemrës por edhe kanë dëgjuar ligjërata për kujdesin në trafik.

Këtë iniciativë të imamit të xhamisë e kanë mirëpritur disa nga xhematlinjtë e kësaj xhamie, por ka të tillë edhe që e kundërshtojnë këtë ide.

Madje, disa nga ata që shkuan të premten në këtë xhami kanë deklaruar për KosovaPress se tani më shumë se kurrë duhet që në xhamia të flitet për fenë dhe t’i tregohet botës që veprimet terroriste që po bëhen në emër të islamit nuk janë veprime të besimtarëve të kësaj feje.

Imami i xhamisë, Fehmi Haxhiu, tha për KosovaPress se xhemati ka nevojë edhe për trajtim të temave tjera, dhe jo vetëm për tema fetare.

“Unë besoj që xhemati jonë ka nevojë edhe për tema tjera me trajtu jo vetëm ato tema fetare. Dhe besoj se ne si xhamia duhet me iu kriju hapësirë edhe ekspertëve të fushave të ndryshme, sepse xhamia nuk është e kufizuar vetëm në aspektin fetar por xhamia duhet ta luaj një rol më të gjerë, më transparent, një rol më të rëndësishëm qoftë edhe në aspektin që nuk janë të besimit tonë,, të ju krijohen kushte që ata të i bashkëngjiten aksioneve, temave të ndryshme të cilat janë në të mirë dhe dobinë e vendit tonë”, tha Haxhiu.

Por se sa është mirëpritur që në xhami të flasin njerëz tjerë për tema tjera, Haxhiu thotë se prezenca e një numri të madh të xhematit lë të kuptojë se atyre u interesojnë edhe temat tjera veç temave fetare.

Njëri prej xhematlive të kësaj xhamie, Lutfi Hyseni tha për KosovaPress se ligjëratat duhet të jenë të fesë islame.

“Për fe janë të mira, krejt çka japin hoxhallarët. Se tash këto po ua lënë fajin fesë islame, por feja islame nuk i bënë ato që po ndodhin, se ata nuk janë të islamit hiç. Ligjëratat duhet me qenë në anën e fesë islame, dhe me iu tregu gjithëve se nuk është feja islame duke i bërë këto punët terroriste që po ndodhin”, tha Hyseni.

Javën më parë në këtë xhami është mbajtur një ligjëratë për tuberkulozin.

Habib Hyseni tha se doktori nuk duhet të mbajë ligjërata në xhami.

“Për fe, çka lyp doktori këtu le t’i kshyr atje pa pare e ka ambulantën e vet”, thotë Hyseni.

Por për dallim prej dy bashkëvendasve të tij, Faruk Beqirit, i ka pëlqyer ligjërata për tuberkuloz.

Beqiri tha se gjithçka sa i përket fesë është e lidhur edhe me mjekësinë.

“Besoj që ka qenë një ligjëratë shumë e mirë, e kuptueshme dhe besoj që edhe doktori ishte shumë i mrekullueshëm…Gjithçka sa i përket fesë është e lidhur edhe me mjekësinë…Mendoj se ka tema që lidhen me kohën e fesë dhe me kohën që jemi sot. Do të thotë nuk janë në kundërthënie feja dhe shkenca”, tha Beqiri.

Ndryshe në këtë xhami kanë deri tani kanë ligjëruar doktorë të kardiologjisë, tuberkulozit, si dhe ligjërata të zëvendësdrejtorit të Policës rajonale në Ferizaj, rreth aksidenteve dhe pasojave të tyre.


www.foxshop-ks.com