Një 26-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra nga therja me thikë, në një përleshje që ka ndodhur mbrëmë mes disa personave në një lokal në Ferizaj. Policia ka arrestuar të dyshuarin për kryerjen e veprës.
Vdekjen e të riut, me inicialet I.K. e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Rreth orës 22:30, policia ka marrë informatën se në një kafiteri në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ është një rrahje në mes të disa personave ku janë përdorur edhe mjete të ftohta-thika”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore ,prokurori i shtetit si dhe ekipi mjekësor, të lënduarit janë dërguar në QKUK Prishtinë, ku nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit(E.I. m/sh/k 26 vjeç) kishte ndërruar jetë ,ndërsa dy të dyshuarit janë pranuar për trajtim mjekësor”.
Polica thotë se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar mjeti i mprehtë-thika me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
“Me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit (D.SH. m/sh/k 29 vjeç) për veprën penale ,,vrasje e rëndë’ është marrë masa e ndalimit policor për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër( M.M. m/sh/k 22vjeç) i dyshuar për veprën penale ‘pjesëmarrje në rrahje’, gjithashtu është marrë masa e ndalimit policor për 48 orë”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetuesit policorë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit janë duke u marrë me rast.