Në Kosovë mund të jetë kthyer gripi i derrit. Po flitet që virusi mund të jetë përhapur në Ferizaj. Lajmi është publikuar nga mediat kosovare, gjë që ka nxitur reagimet e autoriteteve lokale. Për këtë ka reaguar Kryetari i Komunës Ferizaj, Muharrem Svarça, dhe nënkryetari Xhavit Zariqi. Në një komunikatë nga kjo komunë, thuhet se pas analizës së gjendjes dhe raportimit të drejtorit të Drejtorisë komunale të Shëndetësisë, drejtorit të Spitalit Rajonal, drejtorit të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike dhe Drejtorit të Mjekësisë Familjare, pjesëmarrësit e takimit vendosën si masa parandaluese të ndërmerren këto veprime: ‘T’iu sqarohet qytetarëve se gripi i derrit është një sëmundje e ngjashme me gripin e zakonshëm, me të njëjtat simptoma dhe se atakon personat me imunitet të dobësuar, si dhe personat që kanë edhe sëmundje të tjera, ndërsa njerëzit e shëndoshë e kalojnë pa probleme të mëdha, prandaj nuk ka nevojë për asnjë panik.
Të njoftohen qytetarët se nga Komuna e Ferizajt se brenda një jave një person ka humbur jetën nga gripi i derrit dhe një tjetër u infektua, i cili tashmë e ka kaluar sëmundjen pa probleme të mëdha, ndërsa rastet tjera të vdekjeve nga kjo Komunë nuk kanë të bëjnë fare me gripin e derrit. Të gjitha qendrat e mjekësisë familjare duhet t’i raportojnë në baza ditore Institutit Rajonal të Shëndetit Publik për rastet e paraqitura me simptoma gripi; informimi në baza ditore i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik për gjendjen rreth gripit në Komunën e Ferizajt dhe Instituti Rajonal i Shëndetit Publik të dërgojë mostrat e dyshuara si raste më të rënda të gripit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për analiza laboratorike. Institucionet komunale dhe ato shëndetësore të Ferizajt u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos përhapin panik të panevojshëm, sepse gjendja me gripin është plotësisht nën kontroll dhe se nuk ka aspak shenja të një epidemie.