Drejtori Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha në ambientet e Barnatores së re qendrore të QKMF-së, prezantoi disa nga rezultatet e punës së kësaj drejtorie si dhe kumtoi lajmin për pezullimin nga puna të punonjësit A.S. të laboratorit të QKMF-së në Ferizaj për dyshimet e marrjes së ryshfetit.
Drejtori Berisha inkurajoi qytetarët ferizajas që të denoncojnë rastet e tilla të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga ana e stafit shëndetësor, duke shtuar se qeverisja e kryetarit Agim Aliu është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie kudo në organet komunale.
Nga zyra për informim e komunës njoftohet se me iniciativën e Aliut janë shënuar edhe disa të arritura të tjera në fushën e shëndetësisë siç është vendosja e kamerave në Emergjencën Primare, proces që do të shtrihet në të gjitha institucionet shëndetësore në Ferizaj si dhe zhvendosjen e Barnatores Qendrore në objekt të ri, ku plotësohen kushtet e ruajtjes së produkteve farmaceutike sipas standardeve më të larta, ndryshe nga hapësira e deritanishme e cila nuk përmbushte as për së afërmi kushtet e ruajtjes së produkteve farmaceutike.