Sot është vënë gurthemeli i spitalit të përgjithshëm në Ferizaj, ndërtimi i së cilit do të kushtoj 10.2 milionë euro dhe pritet të përfundoj brenda tri vitesh.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Ferizaj dhe qytetet në rrethinë e kanë merituar spitalin e ri, sepse Ferizaj ka qenë qendër e mjekësisë për ish-ushtarët e UÇK-së gjatë luftës. Ai tha se po ashtu Ferizaj e meriton këtë spital, sepse Ferizaj është edhe ndër komunat e para si tatim pagues i buxhetit të shtetit.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se sot i ka bashkuar një festë që i gëzohen të gjithë, sepse një qendër aq e madhe sa është Ferizaj dhe më në fund Kosova po e vendos këtë të drejt në Ferizaj me një projekt mbi 10 milionë euro. Sipas tij, për këtë projekt ka qenë kërkesë e madhe e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe ministrit të MSH-it, Uran Ismajli. Haradinaj po ashtu përmendi edhe një kërkesë tjetër për një zonë të madhe ekonomike në Ferizaj, që sipas tij, qeveria do t’i përgjigjet kësaj kërkese.
Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu deklaroi se spitali është një objekt i rëndësisë së veçantë që ka munguar në Ferizaj.
“Sot po vëjmë gurthemelin për të dhënë një mundësi të re për mantelbardhët dhe për qytetarët. Andaj kjo mbetet vepra më madhore që nga pas lufta”, tha Aliu.
Ministri i MSH-it, Uran Ismajli me këtë rast tha se ka pasur mos besim për realizimin në këtë projekt, “por sot po dalim faqebardhë para qytetarëve me këtë spital modern, me pajisje moderne që do të jetë në funksion të qytetarëve të Ferizajt dhe do tua kenë lakmi edhe Prishtina dhe qytete tjera”.
Ai paralajmëroi edhe projekte të tjera në fushën e shëndetësisë për Ferizaj. Ismajli beson se projekti do të realizohet më shpejt se për tri vjet.
Edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reciça ka përgëzuar qytetarët e Ferizajt, që sipas tij do të trajtohen mbi 350 mijë qytetarë, raporton KosovaPress