Një javë më parë, shkencëtarët e Universitetit të Toledos thanë se kanë zbuluar se si drita blu mund të çojë në degjenerimin makular, shkaku kryesor i humbjes së shikimit.
Një kërkim i ri shpjegon se si drita blu, e cila rrezatohet nga ekranet e smartphone-ve dhe laptop-ëve mund të dëmtojë qelizat e retinës dhe ndoshta të çojë në degjenerimin makular, një sëmundje e syve që shkakton humbjen e shikimit
Drita blu që lëshojnë ekranet e smartphone-ve dhe laptop-ëve mund të duket e parrezikshme, por sipas një studimi të ri, mund të jetë e dëmshme për sytë tuaj.
Një javë më parë, shkencëtarët e Universitetit të Toledos thanë se kanë zbuluar se si drita blu mund të çojë në degjenerimin makular, shkaku kryesor i humbjes së shikimit në SHBA. Në thelb, valët e dritës përmbajnë energji të mjaftueshme sa të shkatërrojnë shëndetin e syve tuaj me kalimin e kohës.
“Nuk është më sekret që drita blu dëmton shikimin tonë, duke shkatërruar retinën e syve. Eksperimentet tona shpjegojnë se si ndodh kjo”, – ka thënë Ajith Karunarathne, profesor i Universitetit të Toledos, në një deklaratë.
Në spektrin e dritës, drita blu ka një gjatësi vale më të shkurtër dhe kështu transporton më shumë energji se drita e kuqe, e verdhë apo e gjelbër. Kjo energji është shkaku se pse drita blu mund të jetë e dëmshme për sytë tuaj. Ekspozimi i tepërt mund të shkaktojë një reaksion toksik që vret qelizat e ndjeshme ndaj dritës (fotoreceptorët) në retinën e syve.
“Drita e gjelbër, e verdhë apo e kuqe nuk shkakton asnjë nga këto gjëra”, – ka thënë Karunarathne, duke theksuar që “Toksiciteti në retinë” shkaktohet vetëm nga drita blu. Një tjetër molekulë në retinën tuaj vepron normalisht si një antioksidant për të parandaluar vdekjen e qelizave të syrit. Por ndërkohë që njerëzit plaken, sistemi i tyre imunitar do të luftojë për të mbajtur të shëndetshme qelizat. Si rezultat, bombardimi konstant me dritë blu mund të përshpejtojë degjenerimin makular.
“Qelizat fotoreceptore të syrit nuk rigjenerohen”, – tha Kasun Ratnayake, një kërkues i cili ka bashkëpunuar në këtë studim. “Kur vdesin, vdesin përgjithnjë”.
Por, si mund ta mbroni veten? Për fat të keq, drita blu mund të jetë e vështirë për t’u shmangur.
Ajo mund të vijë nga drita e diellit, nga smartphone-t dhe kompjuterët tanë, që shpesh ndodhen përballë fytyrave tona. Studiuesit thonë se njerëzit duhet të tregohen të kujdesshëm kur i përdorin pajisjet e tyre elektronike në errësirë. Në këtë mënyrë, drita blu fokusohet direkt në sytë tanë.
“Kjo mund ta intensifikojë shumë herë efektin e dritës që lëshojnë ekranet e pajisjeve”, – tha Karunarathne për “Popular Science”. “Nëse merrni një xham zmadhues dhe e drejtoni nga dielli ju mund të shikoni se sa e fortë është drita te pika fokale. Aq sa mund të djegë ndonjë gjë”.
Njerëzit duhet të marrin në konsideratë të mbajnë syze dielli apo syze të tjera që filtrojnë dritën blu. Ndërkohë, Karunarathne është duke hulumtuar për një zgjidhje kundër shkatërrimit të syve. Përfundimet e studimit u publikuan muajin e kaluar në “Scientific Reports”.