Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka zhvilluar hetime intensive me qëllim të zbardhjes së veprimtarisë kriminale të disa të dyshuarve që merreshin me kryerjen e veprave penale të trafikimit të armëve.
“Duke u bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, më 29.08.2018 në rajonin e Prishtinës (në katër lokacione), atë të Gjilanit (në dy lokacione) dhe Ferizajt (gjashtëmbëdhjetë lokacione), është zhvilluar Operacioni Policor i koduar me emrin ‘SYRI’, i cili ka rezultuar me arrestimin gjashtëmbëdhjetë (16) personave të dyshuar për trafikim me armë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njësitet policore në 22 lokacione, kanë kryer kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, pronë e të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve.
Gjatë këtij operacioni policor, janë sekuestruar provat materiale: 19000 euro para kesh, 3 armë të gjata, 17 armë të shkurta kalibri i ndryshëm, 2850 fishek kalibri të ndryshëm, 20 karikatorë, 1 pasaportë bullgare, 3 telefona dhe dokumente tjera që vlejnë për procedurë të mëtejme gjyqësore.
Personat e dyshuar, në bazë të vendimit të prokurorit dërgohen në mbajtje.
Policia thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja kushtetuese e ligjore për të ofruar rend dhe siguri publike, luftuar aktivitetet kriminale, përfshirë edhe trafikimin e armëve.