I dyshuari i tretë është në arrati
Gjatë operacionit të mbrëmshëm të Policisë së Rajonit të Prishtinës janë arrestuar dy të dyshuar, ndërkaq i dyshuari i tretë është në arrati.
Arrestimi erdhi pasi Policia e Rajonit të Prishtinës në kuadër të masave taktiko-operative mbrëmë rreth orës 21:00 ka ndërmarrë aksion për kapjen e të dyshuarve të implikuar në veprat penale si dhe goditjen e grupeve kriminale, përderisa policët në rroba civile kanë provuar të ndalojnë një veturë të dyshuar me tre persona në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Të njëjtit kanë shpërfillur urdhërat e policisë për tu ndalur, duke filluar ta godasin në vazhdimësi me veturën e tyre, veturën e policisë në lëvizje dhe një nga ta i ka drejtuar armën policëve të cilët në atë moment duke vlerësuar rrezikun e drejtpërdrejt për jetën e tyre kanë përdorur armën për të neutralizuar veprimet e rrezikshme të të dyshuarve.
Ndërkohë qe ka vazhduar ndjekja dhe është shtuar mbështetja policore është bërë i mundur ndalimi i detyruar i veturës së dyshuar në lagjen “Përroi i Njelmët” në Prishtinë si dhe kapja dhe arrestimi i dy të dyshuarve të këtij rasti.