WH DebatPernime 2021 Ferizaj 1501 560x416 - Agim Aliu: Në Ferizaj nuk ka asnjë ndërtim pa leje

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në DebatPernime tha se në këtë qytet nuk ka asnjë ndërtim pa leje.

Sipas Aliut, edhe po të donte qeverisja e tij, nuk do të lejohej nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Qeverisje ime është sfiduar. Ne nuk kemi pasur asnjë paligjshmëri sepse edhe po të donim nuk do të na lejonte Ministria e Pushtetit Lokal dhe të gjitha janë të ligjshme. Ne kemi paraparë që qyteti i Ferizajt të zhvillohet në veri-perëndim. Në Ferizaj nuk ka asnjë ndërtim pa leje sepse edhe pse s’ka drejtori, inspektorati ka vepruar. Anëtarët e asamblesë do të duhej ta votonin krijimin e një drejtorie të inspektoratit, në asamble nuk e kanë votuar. Ne do ta përmbyllim këtë kapitull jo vetëm me hartën zonale por edhe me investimet e nënkalimit e nënkalimeve tjera të cilat e kanë transformuar në planin urbanistik Ferizajn”, ka thënë Aliu.

Po ashtu Aliu tha se në programin e tyre tashmë e kanë zhvillimin e Ferizajt në drejtimin veri-perëndim.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin timonin e Ferizajt diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Ferizajt: Agim Aliu nga PDK; Arben Halili nga AAK; Sibel Halimi nga LDK dhe Valon Ramadani nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Ferizajt: Abetare Kurti nga Nisma Socialdemokrate; Donjeta Aliu nga PDK; Djellza Salihu nga RDF; Egzona Selimi nga LDK; Fatbardha Zogaj Reka nga LVV; Mimoza Rama nga AKR; Pakize Bujani nga PAI dhe Xhemile Murati Shabani nga AAK.

Debati u transmetua mbrëmë në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.