w 3 560x360 - Asamblisti nga Ferizaj dënohet me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë

Të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Lulzim Abazi, këshilltar në Asamblenë Komunale në Ferizaj, është dënuar për mosdeklarim të pasurisë me 500 euro gjobë dhe dënim burgimi në afat prej gjashtë muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale në afat prej një viti.

Sipas aktgjykimit të shpallur, të hënën, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, i akuzuari Abazi, po ashtu, është obliguar të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tij, është shqiptuar nga gjykatësi Elmaz Zenuni, pasi i akuzuari fillimisht e ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohet.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Abdullah Abedini, i akuzuari Abazi e ka pranuar fajësinë, duke thënë se këtë e ka bërë nga pakujdesia.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Abedini dhe atë e ka aprovuar gjykatësi Zenuni.

Sipas gjykatësit Elmaz Zenuni, palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi të Themelores, mund të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës, më 29 mars 2019, në Ferizaj, i pandehuri në pozitën e Këshilltarit të Asamblesë Komunale Ferizaj, i cili sipas ligjit ishte i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, në atë mënyrë që në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2018 nuk ka paraqitur të dhënat lidhur me zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare dhe atë bizneset “Hotel LYBOTEN” shp.p.k me 25% të aksioneve, “LB – Ecoplan” sh.p.k me 100% të aksioneve, “Neëco Hotel Luboten LL.C me 16.67% të aksioneve, “Tropicana A&L Mining” sh.p.k me pronar djali i tij A. A. me 100% të aksioneve, “LLF Control” sh.p.k bashkëpronar djali i tij me 50% të aksioneve dhe nuk ka deklaruar pasurinë e luajtshme mbi 3,000 euro, automjetin në emër të djalit të tij A. A. të markës Land Rover, modeli Range Rover, viti i prodhimit 2015.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 437 par.2 sipas Kodit 04/L.082 Penal të Republikës së Kosovës.

IMG 0045 620x275 1 - Asamblisti nga Ferizaj dënohet me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.