“Transparenca dhe efikasiteti i gjykatave themelore të Kosovës”
Gjykata Themelore e Ferizajt ka performancën më të mirë në ofrimin e cilësisë së shërbimeve, duke lënë pas atë të Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Prishtinës, Prizrenit si dhe të fundit atë të Mitrovicës.
Këto përfundime i ka nxjerrë hulumtimi “Transparenca dhe efikasiteti i gjykatave themelore të Kosovës”, sipas avokatëve dhe respodentëve, hulumtime këto të dizajnuara dhe ndërmarra nga Demokracia Plus.
Sipas këtij hulumtimi, gjykata me perfomancën më të ulët ishte Gjykata Themelore e Mitrovicës, e ranguar më së ulëti edhe në kategoritë e tjera si qasja në informata, efikasitet dhe paanësi, ndërsa ajo e Prizrenit doli më së keqi në kategorinë e prevalencës së mitos.
Roberta Osmani nga Demokracia Plus, e cila prezantoi të gjeturat e këtij hulumtimi, tha se gjykata me perfomancën më të ulët del të jetë ajo e Mitrovicës.
“Ndikimi politik është shkaku kryesor i korrupsionit në gjyqësor, përveç asaj në Prizren ku përgjigjet në masë të madhe janë të koncentruara te ndikimi i avokatëve. Sa i përket ryshfetit, pjesëmarrësit që kanë deklaruar se iu është kërkuar ryshfet është 4.5 për qind ndërsa ata që kanë dhënë ryshfet janë 2.61 për qind”, tha ajo.
Ndërkaq, raporti nxjerr në pah se Gjykata Themelore e Gjakovës dhe ajo e Pejës janë radhitur të parat sa i përket shpeshtësisë së korrupsionit.
Brian Martalus, nga Misioni i USAID-it në Kosovë, tha se qytetarët kërkojnë gjyqësor transparent dhe që u jep llogari atyre.
“Qytetarët kërkojnë gjyqësor efektiv dhe transparent që iu jep shpresë qytetarëve. USAID vazhdon të jetë partner me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatat me qëllim për të fuqizuar gjyqësorin. Ne jemi dëshmitarë të përmirësimeve të infrastrukturës dhe rritjen e gjyqtarëve për kokë banori. Këtë vit është koha të shohim se kjo është shpaguar, pra të shohim menaxhim më të mirë të gjykatave. Gjykatat duhet të ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë qytetarët, të zgjidhin kontekstet me kohë dhe të trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë. Këto janë standardet që ju duhet të aspironi”, tha ai.
Sipas tij, numri i dosjeve të vjetra i cili mbetet ende shumë i madh, është tregues se nevojitet të punohet edhe më shumë.
Ndërsa udhëheqësi i Programit për Fuqizim të Sistemit të Drejtësisë, Andrew Boname shprehi rëndësinë që ka matja e kënaqshmërisë së qytetarëve me gjykatat dhe për këtë tha se hulumtime duhet të bëhen çdo vit.
“Inkurajoj që gjykatat të jenë më efikase dhe kjo të shihet nga qytetarët. Aplikimi i politikave dhe praktikave që rrisin kënaqëshmërinë e përdoruesve të gjykatave do të rrisin besimin dhe respektin për institucionet e gjyqësorit të Kosovës. Ka qenë lajm i keq që vetëm disa përdorues të gjykatave kanë përdorur faqet e internetit, ndonëse është lajm i mirë sepse duhet të lansohen fushata më të mëdha për ngritjen e vetëdijësimit”, tha ai.
Udhëheqësi i Programit u shpreh i kënaqur që në bazë të rezultateve të sondazhit disa gjykata veç kanë filluar praktika më të mira, ndërsa shtoi se mbështetur në këtë priten rezultate më të mira në të ardhmen.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi tha se ky raport do të shërbejë si rikujtim që në të ardhmen të jenë më të kujdesshëm dhe më fleksibil në fushën e menaxhimit të gjykatave.
“Sa i përket Gjykatës Themelore në Gjilan, unë i kam inkurajuar avokatët, të cilët gjoja se kanë marrë ryshfet që të lajmërohen tek unë, dhe adresa e vetme është kryetari i Gjykatës, që këto dukuri negative të cilat i ka përfaq raporti t’i luftojmë. Do të mundohemi që statistikat dhe gjendja në vitin e ardhshëm të jetë më e përmirësueshme”, tha Azizi.
Ky hulumtim është dizajnuar dhe ndërmarrë nga Demokracia Plus për të mbledhur pikëpamjet e qytetarëve për performancën e shtatë gjykatave themelore të Kosovës, i bërë për nevoja të programit të USAID-it për fuqizimin e sistemit të drejtësisë.