w 47 560x347 - Ferizaj dhe disa komuna kanë filluar të ndajnë deri nga “200 euro për fëmijë”

Disa komuna të vendit kanë filluar të ndajnë para për fëmijët e porsalindur. E para komunë që e kishte marrë një vendim të tillë është ajo e Suharekës, por që më pas shembullin e kësaj komune e kanë ndjekur edhe Vushtrria,  Ferizaj, Obiliqi, Skenderaj e Kamenica. Por, kur do të ndahen para për fëmijët që lindin në qytetet e tjera?

Menjëherë pas ardhjes në jetë, fëmijët që lindin në Kamenicë do të kenë në konto 200 euro. Vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve e ka marrë dje komuna që udhëhiqet nga Qëndron Kastrati.

“Shkalla e varfërisë së fëmijëve në Kosovë është ende e lartë. Shpenzimet në familje janë të mëdha e të hyrat e vogla. Kjo është më e theksuar në komunat e vogla sikurse Kamenica që ka zvogëlim të natalitet e shpërngulje të qytetarëve.

Andaj, tani e tutje do të mbështesim çdo lindje me nga 200 euro për të gjithë prindërit që jetojnë në Komunën e Kamenicës. Shpresojmë që kjo vlerë të ndihmojë sadopak në nga nevojat themelore për foshnje. Të vegjlit meritojnë të nisin jetën në kushte sa më të mira. Urime”, ka thënë Kastrati pas marrjes së këtij vendimi.

Në komunën e Kamenicës kanë treguar për Express se sa do të jetë kostoja e këtij vendimi për një vit dhe kohën se kur do të fillojë ndarja e këtyre mjeteve.

Zëdhënësja e kësaj komune, Margarita Rashiti ka thënë se ndarja e mjeteve do të fillojë pas kërkesës së çifteve dhe sjelljes së dokumenteve të nevojshme që janë të parapara nga komisioni i formuar për subvencione.

“Atëherë, sipas lindjeve mesatare brenda vitit në komunën tonë, shuma e cila do e mbuloj subvencionimin e foshnjeve të porsalindura është rreth 50 mijë euro në vit. Ndërkaq, ndarja e mjeteve për çiftet që do të bëhen prindër, do të filloj pas kërkesës së tyre dhe sjelljes së dokumenteve të nevojshme që janë të parapara nga komisioni i formuar për subvencione”, ka deklaruar Rashiti.

Por, Kamenica nuk është e vetmja që ka vendosur të ofrojë mbështetje financiare për foshnjat e porsalindura

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj thotë se komuna që ai udhëheq është e para që ka marrë një vendim të tillë.

Ai ka treguar për Express se shuma e parave që i ndahen një fëmijë të posalindur atje është 250 euro, derisa ka shtuar se këto mjete i merr kushdo që lind në këtë qytet, pavarësisht prej nga vjen.

“Komuna e Suharekës është komuna e parë që ka marrë një vendim të tillë. Ne kemi filluar me ndarjen e këtyre mjeteve qe dy vite. Shuma e parave që ndahen është 250 euro, dhe këto mjete merren për secilën lindje që kryhet në Suharekë, pavarësisht prej nga vijnë”, ka thënë Muharremaj.

Përveç Suharekës, mjete u ndahen edhe fëmijëve të posalindur në Vushtrri.

Kuvendi Komunal i këtij qyteti në shtator të këtij viti kishte aprovuar ndarjen e mjeteve buxhetore për të gjithë fëmijët që lindin këtë vit në Vushtrri.

Sipas këtij vendimi, foshnjave që lindin në këtë komunë do të iu ndahen 120 euro nga komuna.

Lajmin e kishte bërë të ditur Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, duke dhënë detaje edhe për formën e aplikimit për përfitimin e subvencionit.

“Kuvendi i Komunës me vendim unanim nga të gjitha partitë politike, sot ka aprovuar ndarjen e mjeteve buxhetore për realizimin e subvencionit prej 120€ për fëmijët e prosalindur (përfitojnë të gjithë fëmijët e lindur në vitin 2020. Prindërit mund të shkarkojnë formularin e aplikimit online në web faqen e Komunës dhe të dorëzojnë atë bashkë me dokumentet përcjellëse në zyrën pritëse të Komunës”, kishte shkruar Tahiri.

Një vendim i tillë zbatohet tashmë edhe në Ferizaj. Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu ka deklaruar se

“Po tashmë edhe në Ferizaj është vendim që secili fëmijë që lind të mbështetet financiarisht. Shuma që i ndahet te ne një fëmije është 100 euro”, ka treguar Aliu.

Ndërkohë, para për nënat lehona ndahen në Obiliq. Zëdhënësja e kësaj komune, Arba Mirena i ka thënë Expressit se ky vendim është marrë në qërshor të këtij viti.

Shuma e parave që u ndahen nënave lehona, Mirena thotë se është 150 euro. Për këtë çështje, kishte njoftuar edhe Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, përmes një postimi në Facebook.

“Sot kam nënshkruar vendimin përmes së cilit, cdo grua lehonë e Komunës së Obiliqit do të i ndahet një shumë prej 150 euro, në kuadër të subvencioneve të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, kishte shkruar Gashi.

E nga viti 2021, para për fëmijët do të ndajë edhe Komuna e Skenderajt. Leutrim Sahiti, zëdhënës për media në këtë komunë, ka deklaruar se kanë paraparë që nga fillimi i vitit të ardhshëm të ndahen nga 100 euro për secilën lindje.

“Ju njoftojmë që Komuna jonë në muajin shtator ka miratuar buxhetin e vitit 2021 në të cilin parashihet që nga janari i vitit 2021 për secilen lindje të ndahen nga 100 euro”, ka thënë Sahiti.

Por, kur do të fillojnë komunat e tjera që të ndajnë para për të porsalindurit?

Në Komunën e Pejës thonë se nuk kanë ndonjë plan të tillë aktualisht.

Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci, thotë se një çështje e tillë as që është diskutuar.

“Nuk e kemi diskutuar një çështje të tillë, pra s’ka asgjë në këtë drejtim”, ka deklaruar Loci.

Plane të tilla nuk kanë as në Istog. Mujë Osmanaj që udhëheq me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë qytet, thotë se deri tash nuk kanë plane për këtë çështje.

“Jo, deri tash nuk kemi planifikuar diçka të tillë. Të shohim”, ka thënë Osmanaj për Express.

Para nuk do të ndahen as për fëmijët që do të lindin në Podujevë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari thotë se për këtë vit nuk kanë planifikim për ndarje të tillë të buxhetit.

“Për këtë vit nuk kemi planifikim për ndarje të tillë të buxhetit. Nëse gjejmë buxhet dhe kalon propozimi në kuvend me dëshirë do ta bënim edhe ne”, ka thënë Nexhmi Rudari.

Ndërkohë, në komunën e Deçanit thonë se e kanë diskutuar këtë çështje. Por, i pari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, i ka thënë Gazetës Express se edhe nëse merret një vendim i tillë, pagesat nuk do të fillojnë gjatë këtij viti.

“E kemi diskutu këtë çështje në parim, por ende nuk ka diçka. Edhe nëse merret vendimi deri në fund të këtij viti, zbatimi nuk fillon këtë vit”, ka deklaruar Ramosaj.

E në Kaçanik kanë vendosur që fillimisht t’i analizojnë modelet e komunave që tashmë nisur së zbatuari këtë vendim.

Besim Ilazi që udhëheq me këtë komunë thotë se e kanë diskutuar këtë çështje, por se për momentin nuk ka diçka konkrete.

“Për momentin nuk ka diçka. Të shohim qysh ka shku në komuna tjera. Te shohim edhe modelin e Kamenicës dhe pastaj vendosim. Por, e di që edhe te ne është diskutu një temë e tillë, por që për momentin nuk ka diçka”, ka thënë Ilazi.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në komunat e tjera për të marrë informacione se kur do të marrin një vendim të tillë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

E për ndikimin që do të ketë ndarja e këtyre mjeteve nëpër familjet kosovare ka folur njohësi i çështjeve sociale, Vebi Mujku.

Sipas Mujkut, kjo përkrahje nuk bën ndonjë zgjidhje për familjet, meqenëse ata kanë nevoja shumë më të mëdha se sa shuma prej 200 eurove.

“Vendimi i Komunave për përkrahjen e familjeve për fëmijët e porsalindur është një përkrahje fillestare e cila ju jepet familjeve. Mirëpo kjo përkrahje e njëhershëm nuk bën ndonjë zgjidhje për familjen, pasi që familjet dhe fëmijët kanë nevoja shumë më të mëdha se sa shuma prej 200 eurove. Si pasojë e mungesës së zbatimit të skemës për shtesat e fëmijëve, dhe sigurimeve shëndetësore e cila do të ishte shumë më efikase dhe e qëndrueshme, disa nga Komunat po intervenojnë me përkrahje simbolike”, ka thënë Mujku.

Ndërkohë, sa i përket asaj se ndarja e këtyre mjeteve bëhet vetëm në disa komuna, Mujku thotë se Qeveria duhet të jetësoj sa më parë zbatimin e shtesave të fëmijëve, ashtu që të gjitha familjet të trajtohen njejtë.

“Mendoj se kjo çështje nuk ju përket Komunave, sepse politikat sociale duhet të zhvillohen në nivel vendi, dhe Qeveria përmes MPMS të jetësoj sa më parë zbatimin dhe shtesave të fëmijëve për të gjithë, e jo 2 nga 38 Komunat të paguajnë e të tjerat jo, sepse të gjithë fëmijët e lindur në Kosovë dhe gjitha familjet duhet të trajtohen njëjtë dhe të barabartë”, ka deklaruar Mujku.

Por, Mujku shprehet i bindur se një vendim i tillë nuk do të ndikojë aspak tek familjet sa i përket planifikimit familjar.

Sipas tij, secila familje e ka të qartë dhe është e vetëdijshme se me 200 euro ndihmë nuk mund të rritet një fëmijë.

Për t’u rritur nataliteti, Mujku thotë se duhet të ketë përkrahje të vazhdueshme.

“Meqenëse Kosova po përballet me rënie të natalitetit, kjo mund të tingëllojë si përkrahje momentale, mirëpo nuk ndikon aspak tek familjet në planifikim familjar, pasi që secila familje e ka të qartë dhe është e vetëdijshme se me 200 euro ndihmë nuk mund të rritet një fëmijë, dhe kjo shumë është e mjaftueshme vetëm sa për blerjen e gjërave bazike për jetë, përderisa shpenzimet janë shumë më të mëdha.

Duhet të përcaktohen kriteret dhe standardet dhe shuma dhe pagesa të jetë në varësi të numrit të fëmijëve, përkrahja të jetë e vazhdueshme, nënat të përkrahen në forma të ndryshme, në mënyrë që të rritet nataliteti dhe të stimulohen qiftet e reja për të pas më shumë fëmijë”, ka deklaruar Mujku.


www.foxshop-ks.com