Muharrem Sfarqa1 560x416 - Ferizaj paguan gati 1 milionë euro pas humbjeve të rasteve në gjykata

Komuna e Ferizajt është në telashe me humbjen e rasteve gjyqësore dhe ekzekutimin e borxheve nga përmbaruesit privat. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Ferizajt ishte ballafaquar me shumë konteste gjyqësore gjatë vitit 2017 për të cilat kishte paguar shuma të konsiderueshme të mjeteve.

“Vetëm nga nëntë mostrat e testuara vlera e pagesave ishte 963,146€ (927,211€ ishte vlera e faturave dhe 35,935€ vlera e taksave përfshirë përmbaruesit privat)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ekzekutimi i pagesave përmes përmbaruesve privat, sipas Auditorit i shkakton shpenzime shtesë komunës.

“Vonesat në pagesat e obligimeve brenda afatit ligjor, i kanë sjellë komunës shpenzime shtesë lidhur me pagesën e taksave të ndryshme si dhe për përmbaruesit privat”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje, Auditori ka gjetur se Komuna e Ferizajt nuk i ka regjistruar pagesat e bëra si pasuri, por as obligimet e palëve të treta në kategorinë e borxheve (të arkëtueshme)

“19 pagesa të bëra përmes vendimeve të gjykatave apo përmbarueseve në vlerë 690,292€, nuk ishin regjistruar si pasuri kapitale në regjistrin e pasurive. Gjithashtu banesat në pronësi të komunës, të dhëna me qira, nuk ishin përfshirë në regjistrin e pasurisë dhe në PFV dhe Llogaritë e arkëtueshme nga lejet e ndërtimit në vlerë 446,279€, nuk ishin paraqitur në PFV”, thuhet në këtë raport.

Mos prezantimi i tyre, sipas Auditorit, ishte si pasojë e mungesës së komunikimit të rregullt në mes të drejtorive komunale.

“Zyrtari Kryesor Financiar nuk kishte informacion të dokumentuar nga drejtoria e urbanizmit, për këstet e pa inkasuara. Opinioni ynë nuk është i kualifikuar në lidhje me këto çështje”, thuhet në këtë raport./kallxo.com/