Muralet 870x5221 1 560x416 - Ferizajt do t’i shtohen edhe 5 murale

Qytetit të Ferizajt këtë vit do t’i shtohen edhe 5 murale në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Muraleve.

Drejtoresha e “Mural Fest”-it, Lebibe Topalli, tregon për temën të cilën kanë vendosur ta trajtojnë këtë vit përmes realizimit të muraleve.

“Tanimë veçse jemi duke u përgatitur për edicionin e gjashtë “Mural Fest 2021”, me një temë më ndryshe se herët tjera. Tema do të jetë “home” ose shtëpia. Tema si temë është pak më e ndjeshme dhe pak më ndryshe se temat e tjera që i kemi trajtuar. Pak a shumë jemi duke u kufizuar në numrin e artistëve, në përzgjedhjen e tyre, por edhe tema e dikton këtë pjesë. Dëshirojmë të trajtojmë pak edhe historinë tonë. Duke filluar edhe nga ekzodi i popullit tonë. Fokus do të jetë qendra dhe do të realizohen pesë ose gjashtë murale të mëdha”, tha ajo.

Topalli thekson se përgjatë gjithë këtyre viteve Festivali i Muraleve ka pasur probleme financiare dhe se kryesisht është mbështetur nga donatorët ndërkombëtar.

“Financat janë problemi ynë kryesor, fatkeqësisht na kanë përcjellë çdo vit. Muralet janë të kushtueshme, kostot për me e realizu një mural janë të kushtueshme, sidomos mjetet sepse janë specifike. Telashe kemi deri sa t’ia fillojmë me realizimin e muraleve, pasi fillojmë pastaj gjithçka shkon mirë. Por, problemin kryesor e kemi tek financat. Me bindje të plotë e them se “Mural Fest” ekziston falë vullnetit të madh të ekipës. Ndoshta të tjerët e shohin me një sy më ndryshe, sepse me vet faktin që realizojmë shumë punë nga pamja e jashtme duket se kemi shumë buxhet. Do të duhej të ketë buxhet dhe se “Mural Fest” meriton më shumë. Kemi pas mbështetje nga komuna jonë pasi që kjo punë po bëhet në interes të komunitetit tonë. Kemi pas bashkëpunim të mirë me komunën, e sidomos me Drejtorinë e Urbanizmit sepse punimet tona realizohen në vende publike dhe për çdo punim marrim leje zyrtare. Kemi besim të plotë nga komuna prej fillimit e deri tash, por kishim pas dëshirë që mbështetja financiare të ishte më e mirë”, u shpreh Topalli.

Që nga edicioni i parë i këtij festivali në Ferizaj janë realizuar 30 murale të mëdha dhe rreth 100 të vogla./tvtema.net