rsz 13ferizaj1 2 660x3301 560x330 - Filloi ndërtimi i nënkalimit të dytë në Varosh nga projekti “Bashkimi i Qytetit”

Përkrahja e projekteve të Ferizajt, qofshin ato infrastrukturore apo të llojeve tjera nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi e mirëqeverisjes të të parit të Ferizajt, Agim Aliu dhe politikave të tij dhe administratës së tij në favor të qytetarëve ferizajas.

E tillë, ishte edhe vizita e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj në Ferizaj, ku nisën punimet për ndërtimin e nënkalimit në fshatin Varosh, investim ky që po ndodh në kuadër të projektit gjigant të transformimit urban të Ferizajt, projektit “Bashkimi i Qytetit”.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ministrin Lekaj, deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, ish Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, drejtorin e Infrastrukturës Arbër Bytyqi, drejtorë të drejtorive komunale si dhe bashkëpunëtorë të tjerë nisën simbolikisht punimet në këtë të rëndësishëm për ferizajasit.
Duke e quajtur transformues në pikëpamje urbane dhe zhvillimor, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se ky projekt është mbi të gjitha projekt që i thotë përfundimisht po sigurisë publike dhe i jep fund fatkeqësive, humbjes së jetës së qytetarëve nga kalimi i pasigurtë i hekurudhës në këtë pjesë. “Sot jemi këtu në fshatin Varosh, respektivisht në lidhjen që ka fshati Varosh me Ferizaj dhe më lejoni që nga këtu të falënderoj ministrin Pal Lekaj dhe përmes ministrit Lekaj edhe gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kuvendin e Republikës së Kosovës që kanë treguar mbështetjen për qytetarët e Komunës së Ferizajt, mbështetjen për Komunën e Ferizajt në projektet moderne dhe në projektet për transformimin urban në përgjithësi të qytetit të Ferizajt.
Sot, në këtë projekt dhe në këtë lokacion ku gjendemi, në fakt, më shumë sesa rëndësia e projektit në kuptimin urban është një projekt i një rëndësie jetike, është projekt i një rëndësie që ka të bëj me jetën, është një projekt që ka rëndësinë për shkakun që është projekt që siguron kalimin e sigurt të automjeteve dhe qytetarëve në pjesën tjetër të hekurudhës, prandaj është edhe më i madh falënderimi për qeverinë dhe për ministrin Pal Lekaj, pikërisht edhe për faktin se me përmbushjen e këtij zotimi dhe këtij projekti ne do të kemi kalim të sigurt dhe do të kemi shpëtim të jetëve. Ky është një lokacion që ka qenë pikë e zezë ku fatkeqësisht shumë jetëra njerëzish, të qytetarëve tanë kanë përfunduar këtu si rezultat i një kalimi të keq dhe të pambikëqyrur.

Sot, me këtë projekt i jepet fund dhe praktikisht i thuhet po sigurisë së qytetarëve dhe sigurisë publike dhe unë shumë jam i lumtur që në emër të qytetarëve të Komunës së Ferizajt t’iu falënderoj ju dhe gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës, deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës që kanë dhënë mbështetjen për këtë projekt. Pra, është kjo pjesa e projektit të përgjithshëm që është prej 2 milionë e 200mijë euro, ndërsa sot ku jemi këtu është vlera prej 750 mijë euro. Pra është një projekt i sigurisë së lartë, është një projekt modern por mbi të gjitha është projekt që siguron lëvizjen e lirë dhe sigurinë absolute të gjithë atyre që mund të kalojnë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se edhe ky projekt tregon mbështetjen që ka Ferizaj nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe se si i tillë, ky projekt ka rëndësi të jashtëzakonshme në sigurinë e qytetarëve dhe paralajmëron investimet në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore.

“Siç po e shihni është edhe një projekt i rëndësishëm për qytetarët e Ferizajt, një projekt që ka ndikim pozitiv edhe në modernizimin e hekurudhave, është një paralajmërim që ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë edhe hekurudhat në Kosovë e sidomos në këtë trase që shumë qytetarë kanë pësuar për mos intervenim, pra ky projekt është shumë dimensional që ndikon në sigurinë e qytetarëve, në zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore dhe mbi të gjitha mbron jetën e qytetarëve. Ne jemi të përkushtuar që të jemi mbështetës të fuqishëm të komunave e në këtë rast të kryetarit, që me të vërtet ka treguar një lidership komunal që i mbron interesat e qytetarëve dhe është i përkushtuar për sigurinë e tyre dhe për zhvillimin në përgjithësi të Ferizajt. Do ta ketë mbështetjen e fuqishme në vazhdimësi sepse një lider i tillë i duhet qytetarëve të Ferizajt por në përgjithësi Kosovës, prandaj unë si ministër dhe qeveria e zotit Haradinaj, Qeveria e Kosovës, jemi të përkushtuar që pa dallime të investojmë anekënd Kosovës dhe sot jemi këtu për të dëshmuar që shumë projekte po zhvillohen edhe në Ferizaj” tha ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.