Loading...

Në kuadër të aktiviteteve të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Let’s Do It ka bërë monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor, njofton kumtesa.

Bazuar në të dhënat e monitorimit, rezulton se gjatë muajit nëntor në të gjitha komunat e Kosovës janë shqiptuar 89 gjoba mandatore për ndotësit.

Komuna e Prishtinës i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 35, pasuar nga Komuna e Vushtrrisë ku janë shqiptuar nëntë gjoba nga inspektorët mjedisor.

Me nga shtatë gjoba të shqiptuara lista vazhdon me komunën e Gjakovës dhe atë të Malishevës, pasuar nga Komuna e Prizrenit me pesë gjoba të shqiptuara për ndotësit, derisa në Komunën e Pejës, të Istogut dhe atë të Obiliqit janë shqiptuara nga katër gjoba për ndotje të mjedisit. Në Komunën e Vitisë janë shqiptuar vetëm dy gjoba gjatë muajit nëntor, ndërsa tri të tilla kanë qenë në Komunën e Kamenicës.

Por, asnjë gjobë e vetme nuk është shqiptuar në komunat, si: Rahoveci, Fushë Kosova, Skenderaj, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Klina, Deçani, Juniku, Shtimja, Lipjani, Drenasi dhe Dragashi. Përderisa, në Komunën e Gjilanit dhe atë të Suharekës është shqiptuar vetëm nga një gjobë për ndotësit.

Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.

Gjatë monitorimit për muajin nëntor, të kryer nga Ekipi i Let’s Do It, rezulton se sfidë për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore vazhdon të mbetet mospajisja e Policisë së Kosovës me tiketa të gjobave mandatore si dhe mungesa e inspektorëve mjedisor në disa prej komunave.

Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimmit të mbeturinave.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Loading...



Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.