w 2 560x416 - Ndodh edhe kjo: Prishtina akuzon Ferizajn se e kopjoi në dekorim të qytetit

Pamja e parë në foto është Prishtina në pritje të vitit 2021.

E e dyta, është Ferizaj, e cila sipas udhëheqëses së Departamentit për Rigjenerim Urban në Prishtinë, Mimoza Sylejmani, është kopje e Prishtinës.

‘’Zyra jonë gjithmonë e dizajnon mënyrën qysh ka me u duk sheshi çdo vjet. Po ashtu po e shihni që edhe sivjet është dekoruar. Rastësisht e pashë në televizion kryetarin e Ferizajt që e falënderoi kompaninë për punën e kryer dhe e pashë që është komplet dizajni i vitit 2016 e 19 që na e kemi pasë në Prishtinë’’, tha Mimoza Sylejmani, këshilltare komunale, Prishtinë.

Se Ferizaj ka kopjuar Prishtinën gjatë dekorimit të këtij viti e ka mohuar drejtori për Shërbime Publike i kësaj komune, Arben Halili.

Ai tha se bashkë me kompaninë kanë zgjedhur një ide origjinale për dekorim ashtu siç bëjnë edhe viteve të tjera në këtë komunë.

‘’Zakonisht ne mundohemi që të sjellim ndryshime vit pas viti. Normalisht që mund të ketë edhe elemente të ngjashme me Prishtinën, por megjithatë ideja ka qenë pikërisht e jona dhe jemi mundu me përfshi në këtë kontratë’’, tha Halili.

E në Prishtinë, Sylejmani thotë se Prishtina vazhdon të jetë shembull për mënyrën e dekorimit të sheshit duke pritur bashkëpunim ndërkomunal në projekte të tilla.

‘’Nuk është në rregull pasi s’na kanë pyet sepse autori gjithmonë duhet me u pyet. Jo që i kishim ndalë sepse unë kam qejf që gjithë qytetet e Kosovës të duken bukur e pse jo edhe Ferizaj. Nuk kam asgjë kundër por të paktën të ishin konsultuar me neve. Unë nuk po du me thanë asgjë kundër por të paktën të ishin konsultuar për një dizajn të tillë se krejt Kosova kanë ardhë e kanë pa Prishtinën edhe Ferizajn doket bukur po më vjen mirë që duket sikur Prishtina ama shpresoj që vitin tjetër nuk na e marrin këtë ide që e kemi tash me hyjneshën në fron’’, u shpreh këshilltarja komunale Sylejmani.

Megjithëse mund të përmbajë elemente të dekorimeve nga Prishtina, Halili thotë se nuk sheh diçka të keqe në këtë drejtim pasi që gjithmonë provojnë të bëjnë më të mirën për qytetarët e tyre.

‘’Nëse ka pasë kopjime, gjërat e mirë duhet të merren qoftë nga ata apo qoftë ata nga ne, por nuk jam në dijeni për këtë. Megjithatë nëse ka qenë e mirë përse mos ta marrim atë gjë ne mundohemi me marrë prej krejt qyteteve të botës qoftë Amerikë a Evropë por, ideja dhe para masa ka qenë gjithçka e nisur nga Komuna’’ tha Halili.

Halili tutje shtoi se gjatë këtij viti përpos dekorimeve të reja në disa pjesë janë përdorur edhe dekoret e vjetra të viteve të kaluara për të krijuar sa më shumë gjallëri në qytet.

E duket se përveç Ferizajt, sheshi i kryeqytetit ra edhe në syrin e mediave italiane, të cilat gjatë javës kanë shpërndarë fotografi të dekorimeve të këtij viti.

Ato e kanë përshkruar sheshin e ndriçuar si drita e një nate të errët e të zbrazët që zbukuroi Prishtinën.