Pas 5 vjetësh, Metush Sylejmani, muajin e kaluar u bë bashkë me vajzën e tij të vetme, Fatjonën, por në rrethana shumë më të rënda se që e kishte menduar.

Fatjona, në moshën 6-vjeçare bashkë me nënën e saj, kishte migruar në drejtim të Suedisë, me qëllimin për të gjetur shërim, raporton KTV.

Ajo vuan nga epilepsia dhe një sërë komplikimesh të mëpasshme, si pasojë e lindjes së parakohshme, derisa në Suedi u ishte nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjike.

Por, babai i saj, në shtëpinë njëdhomëshe në Rahovicë të Ferizajt, e ka të vështirë t’i sigurojë vajzës edhe medikamentet elementare, sipas tij, shumë të kushtueshme.

Megjithëse është në pritje të përgjigjes nga institucionet qendrore e lokale për të përfituar ndihmë, Sylejmani, si zhgënjyes e ka cilësuar interesimin fillestar.

Pamundësia për t’i ofruar kujdesin mjekësor adekuat tashmë ka dhënë shenjat e para në shëndetin e saj.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i kanë thënë, se shteti i Suedisë ka qenë në njohuri se Kosova ka një sistem shëndetësor të varfër për trajtim të rasteve të tilla.

Kthimi i Fatjonës dhe nënës së saj nga Suedia, sipas MPB’së, është bërë në bazë të Marrëveshjes për Ripranim në mes Kosovës dhe Suedisë, për personat që qëndrojnë pa autorizim, apo nuk i përmbushin kushtet ligjore për qëndrim të mëtejmë.

Rasti i saj, aktualisht është referuar edhe te Qendra për Punë Sociale, ndërsa është në shqyrtim edhe në Komisionin Komunal për Ri-integrim, për përfitimin e pakos shëndetësore.

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në Kosovë, janë riatdhesuar saktësisht 893 persona, më shumë se gjysma e tyre të kthyer vullnetarisht, ndërsa vendi me më së shumti të kthyer është Gjermania.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.