w 67 560x360 - Rebeli i muzikës
Rockeri Shefqet Hoxha – Sheki ngulmon që ta nisë rrëfimin kronologjik prej rrënjëve të suksesit. Historinë e tij të përmbledhur e dëgjon me veshët katër mësuesja Shkëndije Aliu.

Qysh në shkollë fillore mësuesja serbe e kishte vërejtur talentin e fatosit në vallëzim e këndim. 68-vjeçari thotë se me mbështetjen e familjes, sidomos të vëllait të ndjerë, Nehat Hoxha, do të realizonte ëndrrën fëmijërore për t’i lodruar gishtat në instrumente. Si anëtarët e “The Beatles”, të cilët po i dëgjonte në pllaka gramafoni, shkruan KOHA.

“Familja ma bleu kitarën dhe ëndrra ime atëherë u realizua krejtësisht. Erdhëm këtu në Ferizaj në librari tek axha Anton, e mora kitarën, edhe prej atij momenti e kjo këndej quhet histori”, thekson Sheki në një kafene me stil anglez, prapa ndërtesës ku dikur kishte blerë instrumentin e zemrës në qytetin e lindjes, Ferizaj. Jashtë bie shi. Brenda Sheki ngre një dolli.

Hapërimi i madh drejt majave të skenës muzikore, fillimisht jugosllave, e pastaj edhe ballkanike, nisi prej skenave të vogla të qytetit, që themelimin ia ka borxh stacioni hekurudhor që tash e ndan në dysh. Për vlerat e tij muzikore flasin bashkëpunëtorët, që dikur ëndërronin takimin me të.

“Sensacioni Sheki”

“Për neve ai ka qenë sensacion. Domethënë Sheki si personalitet”, kujton Labinot Krasniqi, muzikant e bas-kitarist.

“Me fol për Shekin dhe historinë e tij kërkon shumë kohë, mirëpo, në pika të shkurta qysh ka ndiku te ne fillimisht, muzikantët e rinj, Sheki ka qenë më i vjetër, mirëpo, jo që ka qenë më i vjetër, po, veç krijimtaria e tij në grupet të cilat ai i ka pasë dhe në të cilat ka qenë në ish-Jugosllavi, ka qenë për neve megalomane, ka qenë shumë e madhe”, thotë Besim Gashi – Babuka, muzikant e baterist.

“Ai ka një nënshkrim muzikor, autorial, që është më e rëndësishmja. Që njerëzit të mund ta njohin e të thonë – shiko, ky është Sheki”, vlerëson Sinan Alimanoviq, muzikant i njohur boshnjak.

Në ish-Shtëpinë e Armatës në Ferizaj, ku tani ndodhet galeria, muzeu i qendrave e inovacionit, Sheki ishte ngjitur për herë të parë në një skenë më të madhe. Rinia këndonte e vallëzonte.


www.foxshop-ks.com