Loading...

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nënshkruan sot në qytetin bregdetar një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

VIDEO

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, rektori i USHAF në Ferizaj prof. dr. Agron Bajraktari, rektorja e UAMD-së, prof. dr. Kseanela Sotirofski, pedagogë dhe studentë të dy universiteteve.

Rreth 150 studentë të USHAF, si dhe Këshilli Studentor i UAMD-së u njohën me njëri-tjetrin, por edhe me programet e studimit, risitë infrastrukturore dhe teknologjike që UAMD ofron.

Rektorja e UAMD-së, prof. dr. Kseanela Sotirofski përshëndeti përfaqësuesit e USHAF-it dhe e cilësoi këtë takim si një pikënisje për diskutime konkrete dhe projekte të përbashkëta.

“20 vjet më parë, 1 milion shqiptarë të Kosovës u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Ju jeni fëmijët e asaj periudhe të vështirë. Energjia dhe idealizmi juaj janë oguri më i mirë për një shtet të fortë e të zhvilluar. Ju premtoj se do të shtojmë bashkëpunimin me institucionet arsimore në Kosovë, do të shkëmbejmë me ta përvojat më të mira dhe do ta kemi përherë derën e çelur për studentët nga këto treva”, u shpreh rektorja.

Për rektorin e USHAF, prof. dr. Agron Bajraktari, marrëveshja me UAMD-në, në 20-vjetorin e shtegtimit të madh të shqiptarëve të Kosovës dhe mikpritjen vëllazërore të shqiptarëve këndej kufiri, është shumë domethënëse.

“Jemi universiteti i vetëm në Kosovë i specializuar në Shkenca të Aplikuara. Mendojmë se me Universitetin e Durrësit mund të bashkëpunojmë shumë mirë në degët e teknologjisë dhe ato të studimeve profesionale”, theksoi ai.

I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, përshëndeti këtë nismë të dy universiteteve.

“Durrësi është dritarja e Perëndimit për shqiptarët. Kjo marrëveshje vjen në një moment historik, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s. Në Shqipëri gjetëm vëllazëri. Kjo ishte një pikë kthese për afrimin e dy pjesëve të ndara të kombit tonë. Marrëveshje të tilla janë të rëndësishme për të tejkaluar sfidat e përbashkëta të së ardhmes”, u shpreh ai.

Në aktivitet fjalën e morën edhe dy përfaqësuese të Këshillave Studentorë nga UAMD dhe USHAF, Edona dhe Arbnora.

Të dyja studentet u shprehën të emocionuara dhe theksuan nevojën që studentët në Kosovë dhe Shqipëri kanë për të shkëmbyer përvojat e tyre.

“Vetëm kështu do ta njohim dhe duam më shumë njëri-tjetrin”, u shprehën njëzëri ato.

Gjatë takimit palët shqyrtuan mundësinë e shkëmbimit të personelit akademik dhe të kërkuesve shkencorë, zhvillimin e veprimtarisë së kërkimit shkencor dhe realizimin e projekteve të përbashkëta, duke u bazuar në eksperiencën më të mirë të UAMD-së si koordinator dhe partner në disa projekte Capacity Building.

Një tjetër objektiv i marrëveshjes ishte dhe organizimi i shkollave verore për studentët.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Loading...



Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.