w 7 560x405 - Shtëpia në degë të lisit - VIDEO

Erdhi si ide e parë nëpër filma por u kthye në realitet për vogëlushin nga Ferizaj, Mirand Xhemajli.

10 vjeçari e kishte parë në një film një shtëpi druri të ngritur në një dru dhe mendoi ta bëjë një të tillë për vete.

Kur ia prezantoi idenë anëtarëve të familjes, ata nuk kishin hezituar ta mbështesnin.

“Ideja më ka ardhë nga filmat gjermanë. Kam kqyrë shumë filma gjermanë, kur i kam pasë pesë vjet e kam msu gjermanishten, ka qenë një episod ‘Shtëpia në lis’ u quajke ‘Baumhaus’, kur e kam msu ‘Baumhaus’ i kam thënë babit a mundemi edhe ne me ndërtu kështu dhe ka ardhë kështu ideja”, shprehet 10 vjeçari.

Një shtëpi çlodhëse, e ndërtuar nja 13 kilometra larg Ferizajt nuk ka se si të mos u bjerë në sy kalimtarëve.

Ajo është ndërtuar mes degëve të lisit.

Shkallët e saj të çojnë në brendi të villës e cila është furnizuar me gjithçka që i duhet një relaksi ditor.

Për ta realizuar ëndrrën, Mirandi e kishte pasur krah të fortë vëllain e tij më të madh, Fehmiun.

“Nuk ka qenë gjithçka e planifikuar, ka qenë sipas formës së lisit. Lisi na ka dhënë mundësinë të ndërtojmë në këtë mënyrë villën”, shprehet ai.

Për të ndërtuar këtë villë familjes Xhemajli i janë dashur një muaj punë intensive.

“Skeletin e shtëpisë e kemi bërë nga druri i pishës së thatë, për shkak të peshës së lehtë dhe për shkak të peshës së lisit”, tregon tutje ai.

Ai thotë se ka filluar të rritet interesimi i qytetarëve që të kalojnë një vikend apo të festojnë ndonjë datë të tyre të veçantë në villë.