auto referat sp15409713901 560x416 - Klubet i akuzojnë arbitrat për kurdisje e njëanshmëri

Pak orë pasi përfundoi ndeshja Ferizaj – Liria (0:0), e luajtur të martën në Ferizaj, drejtuesit e skuadrës prizrenase bënë një reagim të ashpër.

Ata akuzuan arbitrat se ndikuan direkt në rezultatin e takimit. Dhe ky ishte reagimi i dytë brenda katër ditësh nga klubi i Prizrenit, për të njëjtën arsye – anulim i golave.

Për të rënduar situatën mbi arbitrat, Liria nuk është e vetmja që ankohet.

Të martën reagoi edhe Drenica e pak ditë më parë edhe Trepça ’89 dhe KEK-u. Pra, në harkun e katër ditëve, katër skuadra të Superligës janë ankuar në referim. Gjithsej Superliga numëron 12 skuadra.

Klubet ngrenë dyshime se arbitrat qëllimisht po bëjnë gabime.

“KF Liria më 27.10.2018 iu drejtua me shkresë zyrtare FFK-së dhe organeve të saj, lidhur me dëmtimin që na u bë në ndeshjen: Ballkani – Liria, e luajtur më 26.10.2018, ku na u anulua goli i pastër, e për çka edhe opinioni tashmë është në dijeni. Ende pa u këndellur nga ai tmerr (ku na u mohua fitorja), vjen një tjetër dëmtim i rëndë, në ndeshjen e luajtur sot (30.10.2018), ku në minutën e 90-të neve na anulohet gol i pastër nga gjyqtari Alban Shala, që ishte shumë prapa lojtarëve (në vijën e 16-metërshit të Ferizajt). Për çudi, Alban Shala vërshëllen pa ngritur flamurin asistenti Jakup Musolli, e pas fishkëllimës së Shalës, reagoi edhe anësori Musolli. Ishte ky dëmtim serioz, me ndikim në rezultat, pasi goli ishte i rregullt”, thuhet në reagimin e fundit të Lirisë.

Te Liria akuzojnë se kanë humbur pesë pikë për shkak të gabimeve të arbitrave. Madje ngrenë edhe dyshime se gabimet nga arbitrat po bëhen qëllimshëm/ Faton Polisi.


www.foxshop-ks.com