Fundjavën e kaluar, i pari i Ferizajt, Agim Aliu udhëtoi në Republikën e Turqisë, në vizitë zyrtare në disa prej komunave turke, vizita këto me qëllim shkëmbimin e përvojave në nivelin lokal, inicimin e bashkëpunimit mes komunave përkatëse dhe Komunës së Ferizajt si dhe investimet e mundshme në territorin e komunës së Ferizajt.
Në këtë vizitë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu takoi Kryetarin e Komunës Bayrampaşa, Atila Aydıner, Kryetarin e Komunës Gaziosmanpaşa, Hasan Tahsin Usta, Kryetarin e Komunës Eyüpsulltan, Remzi Aydın, me ç ‘rast njoftoi këta të fundit për mundësitë që ofron Komuna e Ferizajt, resurset njerëzore dhe natyrore, ritmin e shpejtë të zhvillimit ekonomik, veçanërisht industrinë e lehtë, përparësitë gjeografike dhe afërsinë me shtetet fqinje, lehtësirat në të bërit biznes si dhe moshën e re të popullatës, fuqi punëtore.
Drejtuesit e komunave të lartcekura u impresionuan me ritmin e shpejtë të komunës sonë, përkatësisht hovin ekonomik që ka njohur ky territor pas përfundimit të luftës.
Ata u shprehën të gatshëm të vendosin raporte pune me komunën tonë në disa fusha si: ekonomi, me theks të veçantë në industri, infrastrukturë, shkëmbimin e përvojave në menaxhimin mjedisor dhe politikat e organizimit urban, praktikat e mira të zhvillimit të gjithëmbarshëm arsimor dhe kulturor si dhe krijimin e një lidhje bashkëpunimi afatgjate në shkëmbimin e kapaciteteve humane, ekonomike e teknike.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu gjatë qëndrimit në Republikën e Turqisë u prit edhe në Asociacionin e Komunave Turke dhe organizata të tjera me shtrirje ndërkontinentale, ku pati rastin të njihet me formën e organizimit dhe veprimit të komunave anëtare të këtij mekanizmi, mundësitë që ofrojnë ato për bashkëpunim si dhe përparësitë e komunave gjegjëse.
Këto komuna ku Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu zhvilloi takimet zyrtare me drejtuesit e tyre, përfaqësojnë miliona qytetarë turq të pozicionuar në Stamboll, kryeqendrën e zhvillimit ekonomik dhe skelën kryesore të qarkullimit të mallrave dhe njerëzve në linjën euro-azi.