Një grup slloven ka propozuar ndërtimin e një resorti turistik për turizëm gjithëvjetor në Shishtavec, ku do të përfshihen sportet dimërore, por edhe sporte ujore si dhe sporte natyrore gjatë verës.
Lajmi u bë i ditur sot, nga Andrej Miklavc, themelues i klubit të ekspertëve për sportet dimërore në Slloveni gjatë aktivitetit ” Programi 100 Fshatrat”, zhvilluar në Shishtavec, Kukës ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama.
“Jemi një grup i specializuar për sporte dimërore dhe jemi afruar nga një grup vizionar që kërkon të bëjë një resort për ski në Shishtavec. Zhvilluam një master plan zhvillimi për Shishtavecin si zonë turistike gjatë gjithë vitit”, tha ai.
Ai theksoi se, “jemi të vetëdijshëm për zhvillimin që sjell turizmi dhe përfshirjen e komunitetit lokal. Ne e dimë shumë mirë që investimi vetëm në resortin e skive është i madh, por i kufizuar prej motit, pasi është vetëm për ski. Resortet e skive aktualisht nuk janë burime turistike vetëm për dimrin me borën, por për aktivitete gjatë gjithë vitit”.
Shishtaveci, shtoi ai, “ka një pozitë gjeografike shumë të mirë duke qenë afër jo vetëm me Tiranën, por edhe me vendet kufitare dhe me aeroportin e Kukësit që do të futet së fundmi në punë”.
“Bora në Shishtavec zgjat më shumë se 4 muaj që është më e gjatë se bora në resortet në Austri dhe Slloveni. Vetë karakteristikat e terrenit do i japin mundësi zhvillimit të sporteve të ndryshme. Por për këtë do të duhet të plotësohen disa kushte paraprake, prandaj master plani është ndarë në disa faza”, theksoi Andrej Miklavc.
“Ky master plan, u shpreh ai, është ndarë në tre zona të ndryshme. Zona A ku ndodhet resorti i skive, zona B ku mund të bëhen sportet e skive dhe zona C afër liqenit ku mund të bëhen aktivitete gjatë gjithë vitit me sporte ujore”, tha ai.
Faza e parë, vijoi ai, “ka të bëjë me lidhjen fizike të Shishtavecit me zonat e përmendura. Kemi propozuar 7-8 km rrugë ndërlidhëse që lidhin Shishtavecin me zonat A, B dhe C. Këto zona duhet të jenë të ndërlidhura, pasi njerëzit që vizitojnë resortet turistike nuk vijnë vetëm për skitë. Disa mund të vijnë për ajrin, ushqimin, natyrën, prandaj duhen ndërlidhur zonat e ndryshme”.
“Faza e dytë është rindërtimi i pikës së resortit të skive dhe bujtinës përkatëse. Kemi parashikuar tre teleferikë skish për atë zonë. E dimë që ka shumë njerëz që e vizitojnë Shishtavecin për bukuritë natyrore. Kemi parashikuar shtigje të ndryshme për Shishtavecin. Këto do të shërbejnë për sporte si hiking, biçikleta”, tha Andrej Miklavc.
Zona B, u shpreh ai, “ka lidhje me hotelin e sportit të skive nordike. Skitë nordike, janë skitë e ‘cross country” ose hedhje nga trampolina me skitë. Shqipëria nuk ka kulturë për skitë, por kur flasim për sporte dimërore, tentojmë të përfshijmë skitë nordike, pasi ekziston një turizëm i veçantë për njerëz nga e gjithë bota që dëshirojnë të merren me këtë sport. Kemi propozuar 24 kilometra pista “cross country”, dhe këto pista mund të mbulohen me asfalt që të përdoren gjatë gjithë vitit. Këto mund të tërheqin shumë familjarë, pasi kanë mundësi të bëjnë me patinazh në këto pista”.
Shqipëria, theksoi Andrej Miklavc, “më pas mund të bëhet destinacion që të zhvillojë edhe gara në nivel ndërkombëtar. Me anë të kësaj mundësie, do të ketë një forcë nxitëse, jo vetëm për komunitetin, por për të gjithë vendin”.
Zona C, vijoi ai, “do të përfshijë shumë aktivitete sportive dhe jetese natyrore, në shtëpi të ndërtuara përpara që i mundësojnë njerëzve të jenë aktivë në natyrë dhe të kalojnë kohë në natyrë”.
“Jemi të vetëdijshëm që investimi në infrastrukturën e përmendur në master plan është i konsiderueshëm dhe nëse merret parasysh çdo element i përmendur investimi shkon në 95 milionë euro. Por nëse përjashtohet trampolina për hedhje me ski që është investimi më i kushtueshëm, Shishtaveci mund të bëhet një destinacion atrakativ me një investim rreth 35 milionë euro dhe një vend kryesor për aktivitete dimërore dhe verore, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në një vend atraktiv për rajonin”, tha ai.