Ferizaj shënoi 20-vjetorin e çlirimit me aktivitete të shumta kulturore-sportive dhe përkujtimore për martirët e lirisë dhe bijtë e bijat më të shtrenjta të kombit, dëshmorët e kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me nderimin më lartë, përkulje pranë Memorialit të Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së dhe kurorat e luleve në varret ku pushojnë bijtë e bijat më të shtrenjta të kombit u bënë homazhet në këtë jubile të 20-të Çlirimit të Ferizajt.
Elmi Reçica, ish-epror i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtoi këtë ngjarje, me lavdinë e shokëve të rënë për lirinë, orientimin e shoqërisë sonë në dekadën e re, atë të zhvillimit ekonomik, integrimit dhe fuqizimit të mëtejmë të shtetit tonë.
“Sot kujtojmë ditën e çlirimit, ditën e paqes, ditën e fillimit të një jete të re, krejt të veçantë, jete pa luftë dhe pa shqetësime çfarë i kanë pasur para 12 qershorit të vitit 1999. Dua të falënderoj gjithë ata që kanë kontribuar, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e rënë, invalidët e luftës, pa angazhimin, pa punën, pa jetën, pa sakrificën e tyre nuk do të ishim këtu ku jemi 20 vjet pas. Një falënderim i veçantë i shkon forcave të NATO-s që kanë qenë ato që kanë përcaktuar shpejtësinë e ndryshimit rrënjësor të gjendjes në Kosovë”, tha deputeti Reçica i cili shtoi se në dekadën e re, dekadën e tretë pas lirisë dhe pavarësisë fokusi është integrimi, zhvillimi ekonomik që do të na prijë në këto procese.