Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Spitalin Rajonal të Ferizajt rreth 150 punonjës të administratës, punonjës të mirëmbajtjes teknike, ata të sigurimit, kuzhinierët dhe infermierët e shtëpive të komunitetit kanë mbetur të papërfshirë në pakon emergjente.
Kjo ka nxitur reagime edhe nga Sindikata e punëtorëve shëndetësorë në regjionin e Ferizajt, të cilët po e shqyrtojnë mundësinë për t’iu drejtuar Avokatit të Popullit.
Tevide Imeri, kryetare e Sindikatës së shëndetësisë për regjionin e Ferizajt, ka thënë se dy herë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me shkresa zyrtare, por që të mos diskriminohen punonjësit, mirëpo deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje, raporton KOHA.
Sipas Imerit, gjatë këtyre ditëve ka pranuar edhe disa ankesa nga stafi i infermierëve në shtëpinë e komunitetit dhe nga stafi i entit special në Shtime.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit Rajonal në Ferizaj, Jeton Zeqiri, ka thënë se 42 punonjës të administratës, kuzhinierët, stafi i sigurimit dhe disa punonjës të tjerë nuk janë përfshirë në pakon emergjente.
Sipas Sindikatës së Shëndetësisë, puna e gjithë punëtorëve ka lidhshmëri ndërmjet vete, andaj stimulimi është dashur të bëhej të paktën në bazë të kategorisë së rrezikshmërisë së punëtorëve.