Mbi 40 persona u lënduan nga një shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi në një lokal në Ferizaj në ditët e para të janarit të 2021-tës. Të lënduarit në gjendje më të rëndë u dërguan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por më pas katër nga ta u dërguan për shërim jashtë vendit, dy në Turqi e dy në Austri.
Ndërkohë që gjashtë pacientë të tjerë janë duke u trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, e që pesë prej tyre edhe u operuan.
Për shpërthimit të bombolës së gazit nisën edhe hetimet ku deri më tani shumë prej personave që kanë qenë prezentë në momentin kur shpërtheu bombola edhe janë intervistuar nga Prokuroria në Ferizaj, por që asgjë konkrete nuk është thënë prej tyre.
Kështu bëri të ditur për KosovaPress, kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili tregon edhe se policia do të bëjë ekspertizën rreth shpërthimit të bombolës aty.
Jashari: Një numër i madh i të pranishmëve janë intervistuar
“Janë identifikuar personat që kanë qenë pjesëmarrës në lokal. Një numër i madh janë intervistuar. Policia ka me caktu një ekspertizë se si ka ardh deri tek shpërthimi i bombolës[…]Nuk di saktë, por një numër i madh i personave që kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur shpërthimi janë intervistuar por që nuk kanë thënë asgjë konkrete”, tha Jashari.
Ndërsa ky rast do të jetë i hapur derisa të intervistohen edhe personat e lënduar.
Jashari: Duhet kohë për tu bërë ekspertiza, do të intervistohen edhe të lënduarit
“Ka kohë për tu bërë ekspertiza, për shkak se ka persona që janë duke u shëruar dhe kur plotësohen sërish do të intervistohen dhe për këtë rasti mbetët i hapur. Madje edhe pronari i lokalit që është i lënduar shumë, edhe ai duhet të intervistohet dhe kjo merr goxha kohë”, tha ai.
Ndërsa, shefi i Klinikës së Kirurgjisë Plastike në QKUK, Zenë Buja tregoi për gjendjen shëndetësore të pacientëve që ende janë duke u trajtuar në këtë klinikë.
Buja: 6 pacientë po trajtohen në klinikën tonë
“Kemi edhe gjashtë pacientë që po trajtohen në klinikën tonë, dy të tjerë i kemi liruar. Gjendja e tyre është e mirë, edhe gjendja e përgjithshme edhe gjendja lokale. 5 prej tyre i kemi operuar, kemi përdorur teknikën e transplantimit lëkuror, kemi marrë transplantin lëkuror prej gjymtyrëve dhe kemi vendosur në duar dhe pjesë tjera”, tha Buja për KosovaPress.
Pacientët të premten pritet që të lirohen për në shtëpi.
Buja: Pacientët të premten lirohen për në shtëpi
“Pacientët tonë nuk ka pas komplikime, gjithçka ka shkuar mirë, janë trajtuar me kohë dhe nuk ka pas problem. Gjatë së premtes do të lirohen të gjithë pacientë”, tha ai.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me gjendjen gjenden e pacientëve që u dërguan në Turqi dhe Austri për shërim. Mirëpo për këtë ministria nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa nga QKUK kanë thënë se ministria e vazhdon komunikimin pasi pacientët dërgohen për shërim jashtë vendit.