jezerc 560x416 - Banorët e Jezercit me peticion kërkojnë kthimin e pronave të “konfiskuara” nga ish-regjimi jugosllav

Banorët e fshatit Jezerc të Komunës së Ferizajt kanë nisur një peticion me synim të grumbullimit të dhjetë mijë nënshkrimeve për t’iu drejtuar Kuvendit të Kosovës, për të kërkuar kthimin e pronave “të konfiskuara” nga ish-regjimi jugosllav. Sipas banorëve ish regjimi jugosllav ua kishte marrë gjithsejtë 120 parcela vetëm nëpërmjet dokumenteve, ndërkaq ato parcela janë punuar gjithmonë nga vetë banorët e Jezercit. Po i njëjti regjim në vitin 1967 kishte marrë vendim që këto prona tu kthehen banorëve, por ai vendim aso kohe nuk ishte zbatuar nga komuna e Ferizajt dhe nuk janë regjistruar në zyrat kadastrale.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se nuk po gjejnë bazë ligjore për t’i zbatuar ato vendime derisa në Kosovë nuk ka ndonjë ligj që e rregullon çështjen e pronës së konfiskuar apo të nacionalizuar nga ish regjimi. Si pasojë e kësaj, banorët që nga paslufta nuk po arrijnë t’i kthejnë në pronësi të tyre private 120 parcela me rreth 200 hektarë, megjithëse ato janë duke i punuar ende.

Ndërkohë, që nga paslufta këto parcela figurojnë në pronësi të Agjencionit të Pyjeve të Kosovës. Gjatë periudhës së fundit kohore banorët e fshatit Jezerc kanë gjetur të gjitha vendimet nëpër arkiva të ndryshme që sipas tyre ato e dëshmojnë se këto prona janë të tyre.
Shumica e këtyre pronave tashmë gjenden brenda zonës turistike në këtë fshat që menaxhohen nga Agjencia Pyjore e Kosovës. KOHA muaj me parë ka raportuar rreth kësaj çështje, derisa banorët janë ankuar se këto parcela kanë nisur të jepen në shfrytëzim për njerëz të politikës për ndërtim të vilave dhe për zhvillim të bizneseve të ndryshme.
Fadil Sejdiu, njëri nga iniciatorët e peticionit në Jezerc, ka thënë për KOHËN se tashmë posedojnë të gjitha dokumentet me anë të të cilave vërtetohet se banorëve të fshatit u janë konfiskuar pronat nga regjimi serb në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve komunale për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna me një dokument e ka shpallë veten jokompetente për ta zgjidhur këtë problem.

“Kuvendi Komunal ka dhënë një përkrahje morale dhe politike për zgjidhjen e këtij problemi në mbledhjen e mbajtur më 18 dhjetor të 2020-s. Banorët tani kemi marrë iniciativë t’i drejtohemi Kuvendit të Republikës së Kosovës me një peticion për ta zgjidhur këtë padrejtësi historike ndaj këtyre banorëve. Peticioni është iniciuar nga shoqata “Jezerci” me kërkesën e banorëve të fshatit dhe tani të gjithë lagjet sipas mbiemrave të tyre kanë caktuar nga një person dhe pritet që ky peticion prej 10 mijë nënshkrimeve të kompletohet për ta përmbushur kriterin kushtetues”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar se pas grumbullimit të nënshkrimeve presin përkrahje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për rikthimin e pronave në emër të banorëve të Jezercit të cilat janë konfiskuara nga ish regjimi jugosllav.

“Po shpresojmë se brenda një kohe të shkurtër do t’i grumbullojmë të gjitha nënshkrimet e nevojshme në mënyrë që Kuvendi i Kosovës ta zgjidh problemin tonë dhe ato prona të rikthehen në pronësinë tonë siç e kemi pasur në të kaluarën”, ka kërkuar ai.

Jakup Bibaj, banor i Jezercit, ka thënë se pasuritë që i trashëgojnë brez pas brezi, pushtuesi serb ia kishte marrë, ndërkohë kishte nxjerrë vendime që pronat sërish të rikthehen në emër të pronarëve privat por ato vendime nuk janë zbatuar e as regjistruar në Komunën e Ferizajt aso kohe.

“Këto toka janë punuar prej pronarëve,secila tokë e ka pronarin e vetë, unë si i moshuar jam në gjendje ta dijë saktësisht edhe me pika kadastrale se të kujt janë këto prona. Përveç kontestit me livadhe ka edhe pyje por edhe oborre e shtëpi që tashmë figurojnë në emër të Agjencisë Pyjore të Kosovës”, ka thënë Bibaj.

Sabri Murseli, drejtor për Pronë dhe Kadastër në Komunën e Ferizajt, në një intervistë për KOHËN ka thënë se para se të ndodh konfiskimi i këtyre pronave, ato kanë qenë private, mirëpo vendimet që janë rikthyer në emër të banorëve nuk janë zbatuar në zyrat kadastrale në mungesë të ligjeve.

“Nuk ekziston asnjë ligj në Kosovë që e rregullon çështjen e pronës së konfiskuar apo të nacionalizuar nga ish regjimi. Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me një ligj të veçantë nga Kuvendi i Kosovës, kurse sa i përket Komunës në këtë rast nuk ka kompetenca dhe mandat ligjor që të vendos lidhur me kthimin e këtyre pronave sepse nuk është titullari i tyre”, ka thënë Murseli.

Ai sqaron se komuna është njoftuar me problemet e banorëve të Jezercit dhe i ka ofruar këshilla profesionale.

“Kjo çështje është adresuar në Kuvendin Komunal të Ferizajt në të cilën është marrë vetëm një qëndrim që t’i dilet në ndihmë banorëve rreth kësaj çështje. Por ne si drejtori punojmë në bazë të ligjit për prona dhe kadastër, mirëpo këto vendime derisa nuk janë zbatuar deri me tash, ato janë të pazbatueshme nga ana e kadastrit për faktin se jemi duke folur për një vendim i cili ka kaluar mbi 70 vjet”, ka thënë Murseli.

Sipas tij, komuna në kuadër të kompetencave ligjore ka të drejtë të lëshoj vetëm një informatë rreth kësaj çështje, ndërkaq pjesa vendimmarrëse për këto prona aktualisht është në kompetencë të Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Ndërkohë, në një prononcim për KOHËN, Ahmet Zejnullahu, shef i Agjencisë të Pyjeve të Kosovës ka sqaruar se pronat publike që figurojnë në menaxhim të këtij institucioni mund të jepen në shfrytëzim duke u bazuar në listat poseduese dhe kopje të planit, ndërkaq ata që pretendojnë se janë prona të tyre private duhet t’i rregullojnë dokumentet e tyre në Komunë për të mos pasur telashe të tilla.

“Ne veprojmë sipas listave poseduese dhe kopjeve të planit që janë aty. Krejt pronat e shtetit, njerëzit pretendojnë që janë të tyre, por ata që pretendojnë është dashur t’i rregullojnë dokumentet e veta në mënyrë që mos të ketë telashe. Ata duhet t’i rregullojnë dokumentet e tyre me Komunën, sepse derisa tek ne figuron si pronë e shtetit dhe e ekonomive pyjore atëherë menaxhohet nga ne”, ka thënë Zejnullahu./koha/

auto 176198131 441278483839757 4255149274724597678 n16189371821 - Banorët e Jezercit me peticion kërkojnë kthimin e pronave të “konfiskuara” nga ish-regjimi jugosllav

auto banoret Jezerc16189371831 - Banorët e Jezercit me peticion kërkojnë kthimin e pronave të “konfiskuara” nga ish-regjimi jugosllav


www.foxshop-ks.com