Kryeministri, Albin Kurti është duke prezantuar programin qeverisës, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se për këto 55 ditë kanë arritur të bëjnë punë shumë të mëdha duke vendosur dhe një standard të ri.
Kurti ka thënë se prioritet për qeverinë e tij mbetet luftimi i pandemisë dhe menaxhimi i saj, duke ndalur trendin në rritje që ishte në fillim të marrjes së mandatit të tyre.
Përgjatë fjalimit të tij kryeministri Kurti ka thënë se projektet infrastrukturore të lëna në gjysmë do të përfundohen kurse ato të reja do të fillojnë.
Po ashtu ai ka thënë se do të përfundohet ndërtimi i segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimin e rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe auto-udhën Kijev-Zahaq.
Gjithashtu, kryeministri Kurti ka thënë se do të zbatojnë projekte të reja sikurse ndërtimi i unazës së jashtme të Prishtinës, zgjerimi i rrugëve nacionale Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren përfshirë rrugët qarkore.
Ai ka theksuar se do të bëhet edhe rehabilitimi i rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Komuanovë./suharekaonline/