vetura 780x4391 1 560x416 - Kuvendi i Kosovës sot shqyrton heqjen e homologimit të automjeteve

Kuvendi i Kosovës sot mban seancën e radhës në të cilën pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.

Po ashtu në këtë seancë, deputetët pritet të miratojnë Rezolutën nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Shqyrtimi i parë i Projektligjit 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L-132 për Automjete, zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, përcjell Telegrafi.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të dërgoj në Kuvend mendimin në lidhje me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas këtij vendimi ka reaguar duke thënë se ka filluar “fundi i zhvatjes përmes homologimit”.

“12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare. Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta. Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L – 132 për Automjete”, kishte thënë Kurti.

Ndryshe, me këtë vendim i është hapur rruga largimit të homologimit si detyrim për veturat që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian.


www.foxshop-ks.com