Kuvendi Komunal i Ferizajt gjatë ditës ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën me shumicë të votave është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore për vitet 2022-2024. Ekzekutivi i komunës me këtë rast ka paraqitur një varg projektesh të cilat do të realizohen gjatë kësaj periudhe kohore, ndërkaq për vitin 2022 janë planifikuar gjithsejtë 33 milion e 933 mijë e 968 euro.
Kryetari i Komunës Agim Aliu, para kuvendarëve ka thënë se në këtë dokument janë mirëpritur të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe të kuvendarëve për projekte të ndryshme.
“Me buxhetin e planifikuar për vitin 2022 prej 33 milion e 933 mijë e 968 euro dhe me rritjen e vazhdueshme për vitet 2023-2024 me afro 2 milionë euro, presim që të rrumbullakojmë të gjitha investimet e domosdoshme që pikësynim kanë transformimin rrënjësor të Ferizajt dhe kompletimin e nevojave të domosdoshme për investime publike”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, është e natyrshme që para se të vendoset fokusi për projekte të reja të vendoset theksi edhe te një fakt i njohur e i pranuar për të gjithë qytetarët e Ferizajt, me arsyetim se janë realizuar projekte të shumta në të mirë të qytetarëve.
Sipas Aliut Korniza Afatmesme Buxhetore është vizioni zhvillimor për vitet e ardhshme për qytetin e Ferizajt, andaj në këtë dokument janë inkorporuar të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e qytetarëve qoftë nëpërmjet debateve publike apo edhe kërkesave të tyre zyrtare./koha.net/