Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se komuna e tij është prijëse edhe në projekte të energjisë së ripërtrishme.
Aliu sot priti në takim kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiun me bashkëpunëtorë, në nisje të projektit ku dy komunat janë partnere, me grantin rreth 400,000 eurove të përfituar nga BE, raporton Indeksonline.
Postimi i plotë:
Ferizaj, prijëse edhe në projekte të energjisë së ripërtrishme
Sot, mirëprita kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiun me bashkëpunëtorë, në nisje të projektit ku komunat tona janë partnere, me grantin rreth 400,000 eurove të përfituar nga BE në kuadër të Fondeve IPA, Programi për Bashkëpunim Ndërkufitar, me ç’rast Ferizaj përfiton sisteme të paneleve diellore, të cilat do të vendosen në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”, ShFMU “Jeronim de Rada”, ShFMU “Gjon Serreçi” dhe në Kopshtin “Ardhmëria jonë”, investim ky që prodhon mesatarisht në vit rreth 123.000 kWh, që padyshim mbulon nevojat e këtyre institucioneve si dhe redukton mesatarisht koston e faturës së shpenzimit të energjisë elektrike për afro 135,168 euro në vit.
Bashkë me Kryetarin Ganiu vizituam edhe shkollën “Gjon Serreçi”, njërën nga shkollat ku do të kryhet ky investim, natyrisht i mirëpritur nga drejtuesit e stafi i shkollës dhe tejet i nevojshëm për Ferizajn, veçanërisht në këto rrethana të krizës energjetike.