Një person ka vdekur si pasojë e flakëve që kapluan automjetin e tij në një pompë derivatesh në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, përkatësisht në fshatin Babush.
Lajmin e ka bërë të ditur Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.
Ai ka thënë se personi që ishte në automjet ka humbur jetën ndërsa personi tjetër ka marrë lëndime trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe zjarrëfikësit, të cilët kanë shuar zjarrin.
“Rreth orës 17:40 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në hapësirën e një pike karburanti në fshatin Babush, një automjet i udhëtarëve me targa vendore është përfshirë nga flaka. Për pasoje një person ka humbur jetën që ishte në automjet. Ndërsa një person tjetër që ishte në marketin e kësaj pike karburanti ka marr lëndime trupore dhe është dërguar në Prishtinë për trajtim mjekësorë”, ka deklaruar Veseli.
Tutje ka theksuar se në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitet kompetente.
Po ashtu tha se Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt i ka nisur hetimet.
Deri në kohën e publikimit të lajmit, nuk dihen shkaqet që kanë çuar deri te incidenti me fatalitet.