Mërgim Gashi është pushues i rregullt në bregdetin shqiptar. Ai thotë se çmimet mesatare të qëndrimit dhe të shërbimeve, janë arsyet pse ai çdo vit viziton Shqipërinë.
Por, bënë të ditur se nëse sheh ngritje të çmimeve në Rivierën Shqiptare, do të shqyrtonte mundësin për të shkuar ne bregdetin e Turqisë meqë viteve të fundit ka shumë oferta sa i përketë qëndrimit.
“Kështu që nëse shoh rritje të çmimeve në bregdetin shqiptar me përpara kisha shku në Turqi, sepse në hotelet e Turqisë po shoh oferta deri ne 350 euro e nëse rriten çmimet në Shqipëri kushton gati njejt, e në Turqi kushtet janë shumë të mira,” shprehet Gashi.
Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Turizmit deklaron se deri tani nuk ka rritje të çmimeve sa i përketë akomodimit dhe shërbimeve në Shqipëri.
“Ofertat e Shqipërise për hotelet janë si të vitit të kaluar. Varet për çfarë shërbimi kërkohet. Për sa i përket ndryshimit të çmimeve nuk ka ndryshim për qytetarët e Kosovës.” thotë Kurtishaj për Gazetën Alo.
Kushtrim Ibrahimi, nga Agjencioni Turistik “Kushtrimi” vlerëson se rënia e Euros ndaj Lekut do të ndikojë që kosovarët të kenë pushime më të shkurtëra në krahasim me vitet e kaluara.
“Fuqizimi i Lekut patjetër se do të ndikojë tek pushuesit kosovarë. Por, kjo do të arrihet të kuptohet pasi të përballen personalisht me rënien e Euros. Në bazë të kësaj, besoj se këto pushime do të jenë më të shkurta për pushuesit nga Kosova,” thotë Ibrahimi për Gazetën Alo.
Edhe Hysen Sogojeva, zyrtar nga Departamenti i Turizmit në Ministrinë e Tregëtisë dhe Industrisë shprehet se ngritja e Lekut karshi Euros do të ndikojë direkt te turistët kosovar edhe pse Shqipëria deri më tani ka qenë destinacioni më i përshtatshëm për shkak të kushteve ekonomike.
“Është krejtësisht normale që rritja e Lekut do të ndikojë direkt tek turistët Kosovar. Për kosovarët, edhe ashtu Riviera Shqiptare është Riviera ma e përshtatshme për t’i shfrytëzuar pushimet verore , prandaj duke u nisur edhe nga standardi jetësor i tyre i ulët si dhe raporti i Euros me Lekun , normal që do të ndikojnë dukshëm në xhepin e tyre,” thotë Sogojeva.
Por, Bedri Millaku, profesor në deparamentin e Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka, vlerëson se nuk do të ketë zvogëlim të numrit të turistëve sepse nuk do të ketë rritje të vazhdueshme të Lekut ndaj Euros.
“Turistet kosovar nuk kanë vend më të përshtatshëm për të vizituar se sa bregdetin shqiptar. Mirëpo unë besoj që Leku nuk do të ketë ngritje të vazhdueshme ndaj Euros. E kjo nuk do të ndikoj aq në numrin e turistëve dhe vizitorëve nga Republika e Kosovës të cilët do ta vizitojnë Republikën e Shqipërisë gjatë kësaj sezone të verës,” shprehet Millaku për Gazetën Alo.
Shumë destinacione turistike në Shqipëri tashmë kanë hapur sezonën për verën e këtij viti për të pranuar pushues nga vende të ndryshme, por pushuesit nga Kosova vazhdojnë të jenë në numër të madh./Gazeta Alo