Në një skele nja dhjetë metra të lartë me sprej në dorë po bënte vijat e fundit. Në ditët e para të muajit maj nga afër puna e saj nuk vërehej, ama në distancë prej 20 metrash shihej një femër e mbuluar me një pëlhurë të kuqe që është cak i shtizës në pikado të thjeshtë prapa saj.
Pëlhura fsheh identitetin e femrës. Në prapavijë me këto dy dhe të tjera figura shihet fusha e shahut. Krejt figurat janë përthekuar në një pikturë të shndërruar në mural në Ferizaj. Titulli i veprës, është pikërisht koncepti, “Fshehja e identitetit”, shkruan sot Koha Ditore.
Valza Beqa, autore e muralit në objektin e Entit për Punë Sociale, në afërsi të semaforëve të vetëm të Ferizajt, thotë se gjuha më e fuqishme e të shprehurit janë simbolet.
Këto ka vendosur t’i përdorë për të kundërshtuar të keqen. Sivjet ajo kishte edhe një arsye më shumë për të realizuar një skicë me mesazh kundër së keqes: Edicioni i tretë i “Mural Festit” në Ferizaj kishte si temë antikorrupsionin dhe artistja e re ferizajase me figurat e përdorura ilustroi fuqinë emocionale të mesazhit kundër korrupsionit. Me këtë skicë, Beqa ishte fituese e edicionit të sivjetmë të Festivalit të Muraleve.