Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka krijuar një task-forcë për t’u marrë me situatën e krijuar në këtë qytet si pasojë e motit të ligë.

“Gjendja është duke u stabilizuar pas një stuhie që ishte sot në qytetin e Ferizajt në orët e pasdites”, tha Aliu.
Ai tha se shkaku i të reshurave lumi kishte dalë nga shtrati, si dhe kanalet e kullimit ishin bllokuar shkaku i breshrit.

“Me këtë rast kishte edhe futje të ujit në bodrume të ndryshme të shtëpive në zonat e qytetit por edhe në zonat e fshatrave”.

“Pas kësaj gjendje menjëherë kemi dalë në terren. Kam themeluar një task-forcë”.

Ai pranoi se shumica e fshatrave të Ferizajt, kanë mungesë të energjisë elektrike, duke shtuar se sipas informatave që ai i posedon, zyrtarët e KEDS-it kanë deklaruar se në momentin më të volitshëm do të punojnë për sajimin e dëmeve.

“Është e kuptueshme. Mungesa e energjisë tregon se për fuqinë e stuhisë. Kemi informacioni nga KEDS-i se në momentin më të volitshëm do të intervenojë për sajimin e dëmeve”, ka thënë Aliu.

Për më tepër, ai për Klan Kosova tha se gjendja e rënduar ka qenë pikërisht në zonën urbane porse dëm është shkaktuar edhe në fshatra.

Aliu njoftoi se po ashtu ka angazhuar të gjitha mekanizmat që janë në dispozicion në mënyrë që t’iu gjenden afër qytetarëve dhe bizneseve përgjatë këtij moti të ligë, si dhe që do të formojë një komision për t’i parë dëmet që janë bërë, dhe që eventualisht t’i kompensojë qytetarët.


www.foxshop-ks.com