Shpresat e Kosovës në karate dhe trajnerët presin që pas medaljes së parë olimpike të fituar në xhudo, Kosovës t’i sjellin edhe medaljen olimpike të fituar në karate.
Këtë optimizëm dhe vendosmëri e shprehin trajnerët dhe nxënësit e Klubit të Karatesë “Sharri” në Ferizaj, i cili klub në garat e fundit botërore në Turqi fitoi 10 medalje, duke u bërë klubi me numrin më të madh të medaljeve të fituara.
Shemi Shaqiri, mjeshtër i karatesë në tre-dan, aktualisht trajner i Klubit të Karatesë “Sharri” dhe trajner i Përfaqësueses së Kosovës për grup-moshat e reja, është i bindur në suksesin e rinjve në sportin e karatesë.
“Aktualisht në klubin tonë defilojnë rreth 60 nxënës, në Përfaqësuese të Kosovës kemi 5-6 garues, që marrin pjesë në gara të ndryshme në grup-mosha të ndryshme.
Si garues e kemi përfaqësues Kosovën me 34 garues, prej pesë klubeve të Kosovës, Klubi i Karatesë ‘Sharri’ i ka marrë 10 medalje, por si Kosovë i kemi marrë 18 medalje në kampionatin në Turqi. Si klub kemi dal atje shumë i suksesshëm, edhe dihet rezultati që i kemi 10 medalje”, ka theksuar Shaqiri.
Mbetet të shihet nëse edhe karatesitët do t’a pasojnë rrugën e xhudistëve.