Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se borxhi i ekonomive familjare vazhdoi trendin rritës.
“Borxhi i brendshëm ndaj sektorit bankar ka shënuar rritje prej 12.7 përqind, ndërsa borxhi ndaj institucioneve mikrofinanciare, që ka arritur në mbi 10 përqind të vlerës së borxhit ndaj sektorit bankar, është rritur për 26.8 përqind. Borxhi i jashtëm i ekonomive familjare u dyfishua dhe arriti në 6.7 përqind të gjithsej borxhit (figura 38).
Në dhjetor 2017, gjithsej borxhi i ekonomive familjare është rritur për 15.6 përqind dhe shënoi 17.0 përqind të BPV-së së vendit”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.
Sipas BQK-së, kreditë e reja të lëshuara nga sektori bankar për ekonomitë familjare vazhduan përshpejtimin e rritjes, e cila ishte më e shprehur për kreditë e reja për qëllime hipotekare të cilat rritën lehtësisht pjesëmarrjen në gjithsej kreditë e reja.
Gjithsej borxhi i ri ndaj bankave është rritur për 15 përqind krahas rritjes 10.8 përqind një vit më parë. Sipas qëllimit, rritja ishte më e theksuar për kreditë e reja hipotekare, 28.1 përqind, përderisa kreditë konsumuese shënuan rritje prej 14 përqind.
Rritja më e lartë e kredive hipotekare ndikoi që pjesëmarrja e ulët e këtyre kredive në gjithsej kreditë e reja për ekonomitë familjare të rritet në 17.7 përqind, rritje prej 1.8 pp. Maturiteti i kredive hipotekare gjithashtu ka shënuar tendecë pozitive të rritjes , me ç ‘rast dominuan dukshëm kreditë me maturitet 5 deri në 10 vite si dhe shpejtuan rritjen kreditë me maturitet mbi 10 vite.
Kreditë e reja për ekonomitë familjare pritet të vazhdojnë rritjen në vitin vijues krahas pritjeve për rritje të kërkesës si dhe lehtësimit të kushteve dhe standardeve, si rritjes së shumës së aprovuar dhe rënies së normave të interesit.
“Neto pozicioni kreditor i ekonomive familjare ndaj sektorit bankar shënoi rënie si rezultat i rritjes më të lartë të kreditimit në raport me rritjen e depozitave.
Depozitat e ekonomive familjare arritën vlerën 2,170.7 milionë euro13, që paraqet rritje vjetore prej 2.3 përqind. Sidoqoftë, ritmi i rritjes së depozitave është ngadalësuar, duke rënë në nivelin më të ulët që nga operimi i sektorit (figura 39). Kreditë, në anën tjetër, vazhduan rritjen dyshifrore dhe arritën vlerën 900.8 milionë euro, duke ndikuar në ngushtimin për 4.0 përqind të pozicionit”, thuhet në raportin e BQK-së.