ferizaj1 560x416 - Nis ndërtimi i kolektorit verior për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj

Investimet infrastrukturore në territorin e Ferizajt po zhvillohen krahas zbatimit efikas edhe të politikave mjedisore. Një i tillë, me peshë të jashtëzakonshme dhe efekt të drejtpërdrejt mjedisor, bujqësor e infrastrukturor nisi sot punimet.

Fjala është për ndërtimin e kolektorit verior për trajtimin e ujërave të zeza, punimet e së cilës filluan në fshatin Papaz. Për të parë nga afër këto punime, doli edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu vlerësoi se Ferizaj ka përmbyllur kapitullin e investimeve kapitale të natyrës nëntokësore. Madje, shtoi se me ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, zotim ky i dhënë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë vizitës së tij në Ferizaj, përmbyllet edhe kapitulli i trajtimit të ujërave të zeza.

“E para që dua të them është se Ferizaj ka përmbyllur dhe po përmbyll, përveç disa rasteve që janë tepër minore, investimet kapitale të natyrës nëntokësore, në mënyrë të veçantë të kanalizimeve dhe sigurisht se hap një kaptinë të re dhe këtu jemi në një projekt që hap këtë kaptinë, kaptinën e përmbylljes së trajtimit të ujërave të zeza”.

“Jemi pra këtu në kuadër të projektit të ndërtimit të kolektorit verior që kap shumë prej 1 milionë e 300 mijë euro, vlera e këtij projekti dhe që ka një gjatësi prej afërsisht 13 kilometra dhe përfshin një grup të madh fshatrash, kushtimisht t’i quajmë të regjionit të Rahovicës apo të rrugës që shpie deri në Rahovicë, pastaj në Mirash dhe pjesës andaj nga Prelezi, por sigurisht se fillon nga Fabrika e Tubave nga aty e do të përfundoj te lumi Sitnica ku pastaj në bazë të angazhimeve tona dhe në bazë të asaj që kemi zhvilluar si komunikim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do të hapim pastaj kaptinën përmbyllëse të trajtimit të ujërave të zeza me ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza”.

“Ju e dini që ne tashmë e kemi thënë që është në proces të përfundimisht kjo çështje madje ju e keni parë edhe zotimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Lluka i cili e ka thënë në Ferizaj se do të ndahet shuma prej afërsisht 50 milionë euro për finalizimin e projektit të impianteve që dihet që Komuna e Ferizajt,respektivisht kolektorët përfundojnë në tri pika dhe ne jemi sot në njërën prej këtyre pikave ku përfundimisht do të plotësohet edhe një kusht që është standard në Bashkimin Evropian, pra trajtimi i ujërave të zeza, respektivisht zhvillimi i politikave mjedisore dhe jo vetëm të ujërave të zeza por pasi që po flasim për plotësim të standardeve të BE-së, sigurisht se është edhe çështja e mbeturinave por ne do të angazhohemi që edhe ato çështje t’i trajtojmë, por sot jemi për të trajtuar këtë problematikë”.

“Ju e dini që poashtu në kuadër të buxhetit për vitin 2019, kemi futur edhe një pjesë të kolektorit verior që ka të bëj me fshatin Kosinë, që ka qenë e pakuptueshme sesi ka mbetur ajo pjesë gjatë gjithë këtyre viteve por duke parë këtë situatë dhe nga dëgjimet publike që ne kemi bërë në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2019-2021, ne kemi futur atë dhe sigurisht se me ndërtimin e impiantit do të përfundoj kjo kaptinë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Përveç efektit mjedisor, projekti për ndërtimin e kolektorit verior të kanalizimit fekal prej fshatit Talinoc i Muhaxherëve ,projekt i rëndësisë së veçantë, ka një kosto prej 1.3 milionë euro do të ketë edhe efekt në veprimtarinë bujqësore që zhvillohet në këtë pjesë, si dhe zgjidhje përfundimtare për problemet me ujërat e zeza të një grupi fshatrash dhe më gjerë të kësaj zone.


www.foxshop-ks.com