auto Puntori Mabetex15401421261 560x416 - Rrëfimi i ish-punëtorit të “Mabetexit” nga Ferizaj që u lëndua në Astana

Shkoi për të punuar, por u lëndua rëndë, si punëtor i kompanisë “Mabetex”, në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Nexhmedin Haxha nga Komogllava e Ferizajt, thotë se u rrëzua nga 8 metra lartësi, duke i thyer të dyja këmbët, raporton KTV.

Akuzon kompaninë “Mabetex” dhe Kompaninë e Sigurimit “Siguria” se nuk i ofruan mjete financiare të mjaftueshme dhe përkujdesje adekuate, pas lëndimit.

“Nuk përgjigjet dhe atë me qenë gjytyrym me vdekje. Me vdekje s’jam, unë i kam këmbët e thyera. Jam i ri, duhet të punoj që t’i rris fëmijët. Duhet të punojë dikush. Kam marr vetëm 7,500 euro dhe jam detyruar që të shes disa gjëra në mënyrë që të shpëtoj së paku njërën këmbë”, ka thënë Haxha.

Thotë se në këtë kompani punëtorët trajtohen në mënyrë çnjerëzore dhe punojnë pa mjete të sigurisë në punë.

“Punëtorët i kanë trajtuar si kafshë, shumë keq. Por, ne e kemi ulur kokën në mënyrë që të fitojmë ndonjë para ndërsa ata janë sjell shumë keq me neve. Kam shkuar në Astana për të punuar sepse këtu nuk ka pas shumë punë. Jam detyruar të shkoj atje, por kam shkuar për t’u kthyer i shëndosh jo gjytyrym”, shtoi Haxha.

Për këtë rast, Haxha ka bërë padi për kompensim të dëmit në korrik të vitit të kaluar në Gjykatën Themelore të Ferizajt. Por, kjo gjykatë akoma nuk e ka shqyrtuar këtë padi.

“Më 09.09.2016 jam rrëzuar dhe prej atëherë unë kam mbetur gjytyrym këtu, do të thotë qe 2 vjet e gjysmë gati 3 jam i lënduar kështu”, tha Haxha.

Kompania e Sigurimit “Siguria”, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se i kanë paguar 7500 euro mjete financiare, pas marrëveshjes jashtëgjyqësore, e cila ishte arritur mes Nexhmi Haxhës dhe kompanisë në fjalë.

“Më 08.05.2017 është arritur ujdia jashtëgjyqësore, ku kompania ‘Siguria’ obligohet që të lënduarit Nexhmedin Haxha, t’i kompensohen 5000 euro në emër të shpenzimeve të shërimit dhe 2500 euro për dëmin jomaterial, e cila shumë jepet në formë të paradhënies me qëllim të mbulesës së shpenzimeve të shërimit. Më 15.05.2017, kompania e ka bërë pagesën sipas marrëveshjes në llogarinë e të lënduarit Nexhmedin Haxha. Me ujdinë jashtëgjyqësore është paraparë që kompensimi për dëmin jomaterial, përkatësisht për zvogëlimin e aktivitetit jetësor, do të realizohet pas përfundimit të shërimit dhe periudhës së rehabilitimit total”.

Nexhmedin Haxha thotë se shkoi për të punuar në Astana për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Por, kthimi në Kosovë, ishte i vështirë, pasi nuk mund të lëvizë pa ndihmën e patericave.


www.foxshop-ks.com