GJOBAT E PAKTA DHE TË ULËTA NUK E REDUKTOJNË NUMRIN E DUHANPIRËSVE
Dy-tri vitet e fundit në lokalet e Prizrenit pirja e duhanit është zvogëluar dukshëm. Kjo është bërë edhe në bazë të punës së inspektorëve në terren. Konstatohet se rreth 50 për qind e kosovarëve e pinë duhanin, sipas disa studimeve që janë bërë të ditura. Drejtori i Inspektoratit në komunën e Prizrenit, Islam Thaçi, për duhanpirjen në hapësirat publike dhe për ligjet kundër duhanit për “Kosova Sot” ka thënë: “Në shumicën e qyteteve të Kosovës, AUVKu është përgjegjës për mbikëqyrje të zbatushmërisë së ligjit. Komuna e Prizrenit akoma s’ka arritur marrëveshje të tillë. Dhe, për momentin sektori i inspektorëve vazhdon të mbikëqyrë zbatueshmërinë e ligjit nga qytetarët”, theksoi Thaçi. Ndërkaq, për gazetën ish-drejtori i Inspektoratit të komunës, Bujar Hasni, tregon se gjatë mandatit të tij ka pasur disa qindra gjoba për pronarët e lokaleve ku janë zënë klientë duke pirë duhan. “Por, edhe ata persona që janë kapur në vende publike, në hapësira të mbyllura, duke pirë duhan janë gjobitur. Kurse se sa i dëmshëm është duhani dhe sa e konsumojë atë bën të ditur hulumtimi i shkollës “Ma’arif”, të cilët ditë më parë realizuan një hulumtim interesant për duhanpirjen në Republikën e Kosovës.
Efektet e dëmshme
Fillimisht drejtori i shkollës ” Ma’arif”, Ali Sedat Arslan, ka përgëzuar nxënësit bashkë me mësimdhënësit për hulumtimin në fjalë, sepse ky hulumtim ka besueshmëri të plotë dhe bëhet shpesh edhe nga universitete elitare.”Ky është një punim shkencor, ku nxënësit e shkollës sonë, duke i përdorur metodat e hulumtimit modern, kanë arritur rezultate të caktuara dhe kredibile. Kësisoj kërkime të cilat janë bërë nga nxënësit janë të njëjta me ato të cilat zhvillohen në universitete elitare të ndryshme të botës”, tha ai. Mësimdhënësja e biologjisë në këtë institucion arsimor, Donika Sulejmani, tha se, përveç hulumtimit për duhanpirje në Kosovë, është realizuar edhe një eksperiment me bretkosa, për të parë efektet direkte të përdorimit të duhanit në organizmat e gjallë, dhe aty shihen dëmet e duhanit. Ndërkaq, pjesë e këtij hulumtimi ka qenë anketa e realizuar me 236 qytetarë të Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajtd dhe të gjeturat tregojnë se mbi 50 % e kosovarëve e përdorin duhanin. Komuna ku më së shumti është e pranishme duhanpirja është ajo e Ferizajt, ndërsa cigaret që konsumohen më së shumti janë “Uinston” dhe “Marlboro”.
Të rinjtë e dinë se duhani
është i dëmshëm, por nuk e lënë dot Hulumtime të ngjashme pritet të bëhen edhe në të ardhmen, njoftuan drejtues të këtij institucioni arsimor, të cilët thanë se këto metoda hulumtimesh edhe rrisin inteligjencën e përgjithshme të nxënësve. Për këtë çështje folën edhe disa të rinj. Sedat Gashi, 17-vjeçar, thotë se vetë e pi duhanin dhe e di se është i dëmshëm, por ka krijuar varësi nga duhani.”Prindërit e dinë dhe më lusin që ta lë duhanin, por unë ende nuk kam marrë vendim të këtillë dhe e pi që dy vjet”, shprehet ai. Kurse Adriana Berisha, 18- vjeçare, tregon se po mbushet një vit që e pi duhanin. Ajo thotë se prindërit e dinë se pi duhanin, por nuk e pi asnjëherë në prani të tyre.”Pa duhan nuk mund të rri. Do ta kisha lënë, por ende nuk e kam menduar këtë gjë. Duhani e di se është i dëmshëm, por nuk po mund ta lë tash për tash”, tregon ajo. Edhe të rinj të tjerë pinë duhan, por që thanë se ende familjet e tyre nuk e dinë se e pinë.