euro1 560x360 - INPO: OJQ-të po financohen në mënyrë të kundërligjshme dhe pa zbatuar procedura konkurruese

Kuvendi Komunal i Ferizajt në mbledhjen e nëntë(9) të rregulltë pritet të shqyrtojë dhe miratoj marrëveshje të bashkëpunimit dhe financimit me “Caritas Kosova” të projektit për ngritjen e përkujdesit social, shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në Ferizaj.
Propozim vendimi për miratim dhe draft marrëveshja e propozuar nga Kryetari i Komunës është në kundërshtim me Rregulloren MF – NR – 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dheProcedurat e Financimit Publik të OJQ-ve si dhe me vet buxhetin e komunës për vitin fiskal 2019.

Sipas kësaj draft marrëveshje, komuna e Ferizajt obligohet që për vitin 2019 të financoj projektin e “Caritas Kosova” me 300 mijë euro, ndërsa “Caritas Kosova” do të participojënë shumën prej 20 mijë eurove. Shuma e kërkuar për financim të projektit për 37 % është më e lartë se sa totali i buxhetit në kategorinë e subvencioneve për vitin 2019 në Komunën e Ferizajt.

Neni 4 i Rregullores MF – NR – 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dheProcedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, taksativisht obligon komunën që financimin e OJQ-ve ta bëj duke zbatuar parimet e konkurrueshmërisë, trajtimit të barabartë, mosdiskriminimit dhe transpanencës. Komuna e Ferizajt, në këtë rast nuk ka hapur asnjë thirrje publike për financimin publik të OJQ-ve. Po ashtu, paragrafi 3 i nenit 5, të kësaj rregulloreje e obligon komunën që të posedoj kod të veçnatë ekonomik, në kuadër të së cilit mund të planifikohet mbështjetja financiare për OJQ-të. Ndërkaq, Komuna e Ferizajt asnjëherë nuk ka kërkuar nga Ministria e Financave që të krijojë një kod të tillë. Tutje, Rregullorja ka përcaktuar që në rast se mbështetja financiare publike për OJQ-të nuk është e përfshirë në kuadër të buxhetit, si dhe nuk është e identifikuar në mënyrë specifike se është mbështetje për projektet dhe programet e OJQ-ve, institucioni nuk ka të drejtë të ofrojë mbështetje financiare për OJQ-të.

Në këtë drejtim, INPO i bën thirrje Kuvendit Komunal në Ferizaj që të mos e miratojë këtë marrëveshje të kundërligjshme dhe të ushtrojë të gjitha kompetencat për mbikëqyrjen e menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike si dhe sigurohet që buxheti i komunës është duke u shpenzuar në përputhje me ligjin dhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

INPO poashtu i bën thirrje Ministrisë së Financave që të ndërrmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në sigurimin e zbatimit të Rregullores MF – NR – 04/2017 Mbi Kriteret, Standardet dheProcedurat e Financimit Publik të OJQ-ve nga të gjitha organizatat buxhetore.